Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar pas raportimit të Malcolm Simmons në Kuvendin e Kosovës.

EULEX thekson se deklaratat e Simmons i shohin si një përpjekje tjetër për të diskredituar misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe të vet BE-së, njofton Klankosova.tv.

Simmons para deputetëve kosovarë këtë të hënë deklaroi se rastet “Kleçka dhe “Drenica” ishin turp i komunitetit ndërkombëtar teksa EULEX në kumtesën për media thotë se Simmons është përfshirë në fushatë dezinformimi “në lidhje me shkeljet që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX”.

“Rasti “Kleçka”: Pretendimet e Simmons për rastin “Kleçka” kundërshtohen nga realiteti. Ai pretendon se një gjyqtar i tha atij se vendi i tij i punës mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Megjithatë, pasi që trupi gjykues, i kryesuar nga Simmons, i liroi nga akuza të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën e tij, por vazhdoi tutje duke u emëruar Kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it një vit më vonë. Por ai ishte ai që gjykoi rastin si kryesues i trupit gjykues. Si i tillë, ai pati çdo mundësi ta shpëtonte veten e tij nëse ai nuk do të pajtohej me paraqitjen e rastit në gjykatë”.

“Rasti “Drenica II”: Përbërja e trupit gjykues në rastin Drenica II ishte e ligjshme. Asnjë kundërshtim nuk ishte ngritur nga palët në lidhje me përbërjen e trupit gjykues gjatë procedurave të shqyrtimit gjyqësor. Simmons duhet t’i kujtohet se pas vendimit të vitit 2018 të Gjykatës Kushtetuese u nxor një vendim nga Gjykata Kushtetuese në nëntor 2019 prej gjyqtarëve kosovarë, të cilët unanimisht hodhën poshtë një ankesë përfundimtare në rastin e krimeve të luftës “Drenica II”, duke i konfirmuar pesë dënime. Kjo i demanton të gjitha pretendimet për anim nga ana e trupit gjykues të shkallës së parë”.

Tutje në kumtesë thuhet se në lidhje me pretendimet se EULEX-i ua dorëzoi dosjet e rasteve autoriteteve të prokurorisë serbe: Ne e përsërisim se: EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore. Ne i kërkojmë Simmons që t’i identifikojë të gjitha rastet që ai pretendon se Misioni ua dorëzoi autoriteteve serbe.

“Në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve: Masat për mbrojtjen e dëshmitarëve janë siguruar në përputhje me legjislacionin e Kosovës, për dëshmitarët që u paraqitën me prova dhe për të cilët u vërtetua me besueshmëri se ishin në rrezik serioz pasi i plotësuan kriteret e rrepta të përzgjedhjes. EULEX-i vazhdon të menaxhojë programin e tij të mbrojtjes së dëshmitarëve të mbetur deri më sot dhe ende ofron siguri për dëshmitarët brenda dispozitave ligjore ekzistuese”.