Enver Peci, Kryetari i Gjykatës Supreme është i detyruar ta lirojë banesën e tij pas vendimit të Komunës së Mitrovicës.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës më 18 prill kishte marrë vendim që 13 banesa që i ishin dhënë në shfrytëzim kuadrove profesionale të institucioneve të Komunës së Mitrovicës ti ipen familjeve me kushte të rënda ekonomike.
Banesat ishin dhënë në shfrytëzim nga viti 2006 me kontratë 10 vjeçare e cila ka skaduar në vitin 2016.
Enver Peci në një prononcim për KALLXO.com tha se ndaj këtij vendimi ka bërë ankesë në gjykatë.
“E kam marrë vendimin. Nuk dua të jap komente se jam në procedurë, unë kam iniciuar procedurë gjyqësore dhe jam në procedurë. I kemi arsyet tona për shkak se 10 vjetëshi ka kaluar gati që dy vjet kur më ka skaduar kontrata por komuna kurfarë vendimi nuk ka pru, tani e ka pru një vendim për lirim. Ne po konsiderojmë që nuk ka të drejtë ashtu për shkak se është dashtë me na njoftu përpara mu marrë vesh e jo… është një kontratë e lidhur dhe duhet të shkëputet me një farë forme ligjore e jo veç me u largu ashtu, tha Peci.
Ai po ashtu bëri të ditur që do ta respektojë vendimin e komunës për lirim e banesës brenda afatit 60 ditësh.
“I respektojmë të gjitha vendimet ligjore edhe të komunës edhe gjykatës se jemi së pari zbatues të ligjit dhe duhet të veprojmë në bazë të ligjit, por normal që edhe me na u shkelë të drejtat nuk është e drejtë”, tha Peci./Kallxo.com
Ndryshe, Veriu.info ka raportuar ekskluzivisht se kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ua ka vazhduar kontratat e banesave komunale 13 personave, në mesin e tyre edhe Enver Pecit, të cilëve komuna e Mitrovicës ua kishte dhënë banesat në shfrytëzim në cilësinë e ‘kuadrove profesionale’ të komunës.
Enver Peci edhe pse ka pagë mujore rreth 1400 euro, nuk po pranon vullnetarisht ta lëshoh banesën komunale për të cilën kontrata i ka skaduar në vitin 2016, por ende e mbanë në shfrytëzim, anipse ka qindra familje në Mitrovicë që jetojnë në varfësi dhe nuk e kanë të zgjedhur problemin e banimit.
Në vendimin e Bahtirit për lirimin e banesave bëhet e ditur se ato do t’iu ndahet personave të kategorive të veçanta, pra personave që jetojnë në gjendje të varfër.