Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë rreth 200 familje skamnore në Mitrovicë

Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale Arban Abrashi dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe,  Ibrahim Fadlalla, të shoqëruar nga nënkryetari i komunës, Safet Kamberi dhe drejtori i Mirëqenies  Sociale dhe Integrimeve Evropiane, Mensur Beqiri, kanë marrë pjesë në aksionin e mbështetjes me pako ushqimore të familjeve në gjendje të vështirë sociale në Mitrovicë.

Projekti për të ndihmuar familjet në gjendje të vështirë ekonomike është fryt i humanizmit të popullit arab, bashkëpunimit ndërmjet presidencës së Kosovës dhe komunës së Mitrovicës dhe është  rezultat i vizitës ë kryetares Jahjaga në Emiratet e Bashkuara ditë më parë.

“Qeveria jonë po angazhohet në mirëqenien e qytetarëve tanë, duke ju zgjatur dorën për mbështetje për atë që kanë nevojë. Është përgjegjësi e shtetit, e shoqërisë dhe e secilit që ka mundësi, që përmes shembullit dhe ndihmës solidare, t’ju mundësohet këtyre njerëzve, një jetë më me dinjitet. Këto ndihma janë dhuratë e popullit mik të Emirateve të Bashkuara Arabe, për të cilin ide kishte lindur gjatë vizitës ë presidentes Jahjaga në këtë shtet. Kjo është faza e parë, ndërsa që në dy fazat tjera priten ndihma edhe për më shumë familje”, tha ministri Abrashi.

Ndërsa nënkryetari i komunës, Safet Kamberi ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë. “Komuna është mirënjohëse dhe falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen që në vazhdimësi po i jep ky vend rasteve sociale në shtetin tonë. Aksioni ka vlerë të veçantë se po bëhet në muajin e mëshirës dhe agjërimit”, ka thënë nënkryetari Kamberi.

Ndërsa përfaqësuesi i Ambasadës së Emiratave të Bashkuara Arabe Ibrahim Fadlall, tha se ky është një kontribut i vogël për familjet në nevojë, ndërkohë që paralajmëroi se Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme të kontribuojnë edhe në projekte të tjera.

Gjatë qëndrimit në ambientet Kuvendit të Komunës dhe në Qendrën për Punë Sociale, ku u pritën nga drejtori, Miran Salihu, ministri Abrashi ka premtuar mbështetje për ndërtimin e disa banesave për kategoritë me gjendje më të rëndë sociale në komunë, në bashkëfinancim me institucionet lokale.

Drejtori Beqiri tha se në Mitrovicë ka nevojë të madhe për zgjidhjen e problemit të strehimit të shumë familjeve, të cilat ende jetojnë nëpër qendrat strehimore kolektive.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT