Eksperti shfajëson qeverinë Kurti për Ferronikelin në prag të falimentimit

Edison Jakurti, ekspert i ekonomisë ka risjellë ndërmend disa fakte rreth Ferronikelit, një ditë pas protestës së punëtorëve që rrezikojnë të humbasin punën, sepse pronari ka ndërprerë prodhimin pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Teksa po protestojnë punëtorët e Ferronikelit, duhet kujtuar një sërë faktesh rreth historikut më të ri të kësaj ndërmarrjeje. Kjo sepse problemet me të nuk kanë filluar sot dhe zgjidhja duhet parë nga një kënd më i gjerë.

Ferronikeli është privatizuar në vitin 2006 për vetëm 30.5 milionë euro me kushtin që të investoheshin nga 20 milionë euro në tri vitet e ardhshme. Pra, si zakonisht, premtimi ishte për një të ardhme më të mirë pas privatizimit.”, kujton Jakurti.

“Çfarë ndodhi në të vërtetë? Së pari, largime masive nga puna. Sot kjo ndërmarrje nuk e ka të punësuar as 50% e kapacitetit që kishte para privatizimit. Por edhe ata që kanë mbeten të punësuar, kanë pasur probleme të vazhdueshme. Ka pasur raportime të vazhdueshme prej lëndimeve e deri tek humbja e jetës në vendin e punës. Pastaj, ndërrimi i vendit të punës, pa përgatitjen e duhur, nga një sektor në tjetrin ka qenë i zakonshëm. Dhe ka pasur periudha të gjata kur punëtorët kanë marrur vetëm 70% të pagës.”, vijon më tej shpjegimi i ekspertit.

Në bazë të një studimi të bërë në 2017 nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim:

– vetëm 13% e punëtorëve kanë thënë se punëdhënësi i respekton kontratat e punës në plotëni;

– 58% e punëtorëve kanë thënë se nuk janë aspak të kënaqur me kushtet e punës, 32% kanë thënë se janë shumë pak të kënaqur, dhe vetëm 10% kanë thënë se janë deri në një masë të konsiderueshme të kënaqur;

– 50% e tyre kanë thënë se nuk kanë parë ndonjë përmirësim në kushtet e punës pas privatizimit, e 27% kanë thënë se kanë parë fare pak përmirësim në kushtet e punës pas privatizimit.

“Pra, faj për gjendjen e tyre sot më së paku ka qeveria aktuale. Është pronari ai nga i cili duhet kërkuar llogari. Ndërsa kësaj qeverie i mbetet vetëm të tentojë t’i përmirësojë gabimet e qeverive të kaluara.”, ka thënë Edison Jakurti.