Hezitimi dhe vonesat në dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit e vë në pozitë tejet të rrezikshme shtetin e Kosovës dhe po ashtu lëkund besimin e qytetarëve të Kosovës së në këtë vend po ndërtohet sundimi i ligjit. Presidentja si shefe e shtetit e ka për detyrë të sigurojë funksionimin normal të shtetit sidomos për faktin se ajo ka marrë përsipër që të jetë garantuese e sundimit të ligjit në Kosovë. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve kushtetuese.
Më 20 shkurt, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 5 vota pro dhe 2 kundër e nominoi për dekretim te Presidentja e Kosovës kandidatin Aleksandër Lumezi për prokuror të shtetit. Nominimi i tij u krye pas tërheqjes së 5 kandidatëve nga gara dhe diskutimeve të nxehta nëse gara mund të vazhdonte me një kandidat të vetëm.
Tri ditë më vonë, KPK-ja e njoftoi Gjykatën Kushtetuese me ecurinë e procesit, ndërsa në mbledhjen e 27 shkurtit KPK-ja vendosi ta plotësojë njoftimin edhe me detaje të tjera përfshirë edhe një pjesë të dokumentacionit.
Por Gjykata Kushtetuese në një letër të nënshkruar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani kërkoi nga KPK-ja informacione shtesë lidhur me procesin e përzgjedhjes.
“Informacioni i dërguar nga ju nuk mund të konsiderohet si informacion i mjaftueshëm në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë nëse janë zbatuar në tërësi të gjitha parimet dhe obligimet e dala nga aktgjykimi KI 99/14 dhe KI 100/14 i 8 korrikut 2014”, thuhet në letrën e kryetarit Enver Hasani.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 3 mars iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese për dërgimin e materialeve shtesë në Kushtetuese.
KPK-ja po ashtu pesë ditë pas emërimit të Aleksandër Lumezit ia dërgoi këtë propozim për dekretim Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Por, e para e vendit ende nuk e ka bërë dekretimin e Aleksandër Lumezit në pozitën e kryeprokurorit të vendit, dhe për këtë nuk është dhënë ndonjë sqarim.
Njohësit e proceseve juridike thonë se ky hezitim i Presidentes për ta dekretuar kryeprokurorin është i dëmshëm për Kosovën dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese dhe u.d e dekanit në Fakultetin Juridik në UP, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se Presidentja është garantuese e sundimit të ligjit në Kosovës dhe si e tillë duhet të veprojë.
“Presidentja si shefe e shtetit e ka për detyrë të sigurojë funksionimin normal të shtetit, sidomos për faktin që Presidentja e ka marrë përsipër që të jetë garantuese e sundimit të ligjit në Kosovë. Hezitimi dhe vonesat në dekretimin e prokurorit e vë në pozitë tejet të rrezikshme shtetin e Kosovës në përgjithësi dhe rrugën e shtetit të Kosovës drejt integrimeve evropiane, dhe po ashtu lëkund besimin e qytetarëve të Kosovës së në këtë vend po ndërtohet sundimi i ligjit”, thotë Mushkolaj.
Ajo më tej thotë se zgjedhja e kryeprokurorit është tejet e rëndësishme, sidomos për faktin që ushtruesi i detyrës në këtë moment është jo kredibil, për shkak të aferave personale dhe mosfunksionimit të duhur të të gjithë Prokurorisë.
Eksperti i së drejtës kushtetuese, Rizah Smaka thotë se ekziston një “standard juridik” që e obligon Presidenten që brenda 15 ditëve ta bëjë dekretimin.
“Dekretimi mund të mos bëhet vetëm në qoftë se Presidentja gjen ndonjë defekt juridik. Përndryshe, Presidentja ka përgjegjësi kushtetuese dhe politike më shumë se juridike për të bërë dekretimin”, tha Smaka.
Lidhur me këtë situatë, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj tha se nëse Zyra e Presidentes ka marrë njoftim nga Gjykata Kushtetuese se është duke e analizuar procesin e përzgjedhjes, atëherë afati i dekretimit do të ndërpritej.
Lidhur me këtë çështje ne i jemi drejtuar me pyetje Zyrës së Presidentes, por nuk kemi marrë përgjigje.
Megjithatë, në një sqarim për media Presidenca thotë se do të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës lidhur me dekretimin.
“Çështja e emërimit ose refuzimit për emërim të kandidatëve për prokuror është e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Presidentes.
Por Mushkolaj edhe Smaka thonë se një afat i tillë për dekretim nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligji për Prokurorin e shtetit dhe Ligji për Presidenten e Kosovës, nuk parashohin asnjë dispozitë e cila përcakton një afat kohorë brenda të cilit Presidentja dekreton kryeprokurorin e shtetit.
Kështu, Presidentja e Kosovës duke mos pasur një afat të përcaktuar ligjor brenda të cilit duhet të veprojë, nuk po e bën dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, përkundër që, sipas vlerësimeve të njohësve të rrethanave juridike, kjo është shumë e dëmshme për rendin juridik në Kosovë.
Mushkolaj , megjithatë vlerëson se Presidentja është e bllokuar nga Gjykata Kushtetuese për të bërë dekretimin.
“Presidentja është e bllokuar nga Gjykata Kushtetuese që është duke e shkaktuar këtë bllokadë të vendosjes së sundimit të ligjit në Kosovë”, tha ajo.
Por, përkundër asaj se Gjykata ka kërkuar informacion shtesë dhe është duke analizuar procesin e përzgjedhjes, Presidentja e Republikës së Kosovës konform me kompetencat e saj kushtetuese mund të bëjë dekretimin e kryeprokurorit.
Megjithatë, Mushkolaj përgjegjës për këtë situata e bënë edhe KPK-në.
“Unë në këtë çështje shoh problem edhe te Këshilli Prokurorial, i cili është dashur menjëherë posa është shpall konkursi të njoftojë Gjykatën Kushtetuese se i ka zbatuar të gjitha dispozitat e kërkuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konkursin e parë”, tha Mushkolaj.
Lidhur me këtë, Kallxo.com ka kërkuar sqarim nga Zyra e Presidencës rreth mosveprimit të Presidentes që ta dekretojë ose refuzojë kryeprokurorin konform kompetencave të saj, apo nëse ajo nga ky mosveprim konsiderohet si heqje dorë nga kjo kompetencë e saj ligjore, megjithatë deri ende nuk ka kthyer përgjigje.
- Advertisement -