EKSKLUZIVE| Stuart Peach: Marrëveshja Kosovë-Serbi e nevojshme sa më parë – nismat rajonale të jenë gjithëpërfshirëse

I Dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, vlerëson se vazhdimi i situatës pa zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë shkon në dëm të të dy vendeve dhe që çon ujë në mullirin e atyre që duan stagnim.

Peach në intervistë ekskluzive për KlanKosova.tv ka thënë se kjo e bën të nevojshme marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Sipas meje një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe e qëndrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme sa më parë që të jetë e mundur: saktësisht kur arrihet ajo, është në dorën e palëve”, është shprehur ai.

Ai më tej ka folur edhe për nismat rajonale, si “Ballkani i Hapur”, e ku ka theksuar se në to të gjitha vendet duhet të jenë të barabarta.

“Mirëpres nismat që janë në mbështetje të bashkëpunimit rajonal, integrimit ekonomik dhe hapjes së tregjeve, të cilat ofrojnë përfitime reale për rajonin në tërësi. Është e domosdoshme, sidoqoftë, që të gjitha këto procese të jenë gjithëpërfshirëse dhe të hapura për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në kushte të barabarta. Ekziston gjithashtu nevoja për dekonflikt, dhe për të siguruar skema të reja që plotësojnë iniciativat ekzistuese”, është shprehur ai.

Peach ka thënë se Britania e Madhe mbështet Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa ka shtuar se inkurajojnë pesë vendet mosnjohëse të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Për të kuptuar opinionin e të dërguarit britanik rreth ndikimit të luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor, raportet e Serbisë me Rusinë dhe raportin Serbi-BE, lexojeni intervistën të tërën

INTERVISTA E PLOTË:

Para mbi gjysmë viti jeni emëruar në pozitën e të Dërguarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor. Cila është porosia e emërimit tuaj dhe pse është bërë pikërisht në atë kohë?

Stuart Peach: Jam emëruar në dhjetor të vitit të kaluar, kur po qartësohej gjithnjë e më shumë që Ballkani Perëndimor po përballej me kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e vet në më tepër se dy dekada. Situata ishte bërë praktikisht shqetësuese në Bosnjë e Hercegovinë, me kërcënimet kundër unitetit të shtetit çka ishte kërcënim për zhbërjen e paqes e cila u fitua me mund. Isha emëruar si pjesë e një përgjigjeje të fortë Britanisë së Madhe ndaj këtyre sfidave dhe ripërtëriva angazhimin britanik në promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon.

Sigurisht, që nga atëherë kemi parë pushtimin joligjor të Rusisë në Ukrainë. Duhet të jemi të kujdesshëm që kjo luftë të mos përhapet në këtë rajon ku kujtimet nga konfliktet e fundit janë të freskëta e të thella. Sfidat e tanishme ndaj prosperitetit dhe sigurisë – si siguria energjetike – janë përkeqësuar si pasojë e luftës.

Dy muaj më parë e kisha në intervistë Manuel Sarrazin, të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin. E ndjej që t’ua bëj një pyetje të njëjtë: Angazhimi i kaq emisarëve, a nënkupton mosbesim në Miroslav Lajçak, i cili është i dërguar i Bashkimit Evropian?

Stuart Peach: Krejt e kundërta. Rolet tona janë shumë plotësuese. Pjesë e rolit tim është mbështetja e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin Britania e Madhe mbetet plotësisht mbështetëse. Si emisar, punoj ngushtë për këtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Unë kam një përmbledhje rajonale dhe mbuloj një gamë të gjerë çështjesh ku dhe punoj ngushtë me të dërguarit e tjerë të emëruar në fushat ku interesi është i përbashkët. Mendoj se emërimi i këtyre të dërguarve me të vërtetë e shfaq se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për të dyja vendet.

Rreth 18 muaj janë dashur punë me bashkësinë ndërkombëtare për statusin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë më 17.02.2008. Por ka mbi dhjetë vjet që zgjat procesi i dialogut Kosovë-Serbi. Kur gjykoni se mund të ndodhë dhe çfarë jeni duke bërë ju që të arrihet marrëveshja përfundimtare?

Stuart Peach: Qëkur filluan negociatat në vitin 2011, ne kemi parë një numër marrëveshjes që patën ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në jetën e qytetarëve të rëndomtë në Kosovë dhe Serbi. Sidoqoftë, mungesa e zbatimit, ose përparimit më të gjerë është zhgënjyes. Sipas meje një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe e qëndrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme sa më parë që të jetë e mundur: saktësisht kur arrihet ajo, është në dorën e palëve. Vazhdimi i çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është i dobishëm për askënd, përveç për ata që kërkojnë të nxitin ndarjen midis fqinjëve dhe të pengojnë përparimin drejt një të ardhmeje më prosperuese dhe stabile.

Tani ekziston një dritare mundësie dhe nevojës urgjente që diçka të ndryshojë. Ka një realitet të ri në Evropë, i krijuar nga lufta në Ukrainë. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve të gjata në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për sigurinë dhe mirëqenien e Evropës. Krerët në të dyja vendet e dinë këtë dhe, duhet të punojnë tani për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura për të ardhur tek marrëveshja përfundimtare. E di që nuk do të jetë lehtë, por që Britania e Madhe do të vazhdojë t’i mbështesë Kosovën, Serbinë dhe BE-në në arritjen e kësaj.

Ka një nismë rajonale e quajtur “Ballkani i Hapur”, pjesë e së cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por që Kosova refuzon të jetë pjesë e saj. Si e shihni këtë qasje të Qeverisë së Kosovës në këtë çështje?

Stuart Peach: Mirëpres nismat që janë në mbështetje të bashkëpunimit rajonal, integrimit ekonomik dhe hapjes së tregjeve, të cilat ofrojnë përfitime reale për rajonin në tërësi. Është e domosdoshme, sidoqoftë, që të gjitha këto procese të jenë gjithëpërfshirëse dhe të hapura për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në kushte të barabarta. Ekziston gjithashtu nevoja për dekonflikt, dhe për të siguruar skema të reja që plotësojnë iniciativat ekzistuese.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkan, që për qytetarët e saj ende nuk ka liberalizim vizash. Cili është opinion juaj, pse duhet të rëndojë kjo çështje mbi qytetarët e një shteti me ekonomi në zhvillim?

Stuart Peach: Se kur do të jepet vendimi për liberalizim të vizave për në Zonën Schengen, është në dorën e BE-së. Por nga vizitat e mia në Kosovë, sigurisht që jam i vetëdijshëm për zhgënjimin e thellë të shkaktuar nga kjo situatë. E inkurajojë Kosovën që të vazhdojë të flasë me shtetet e BE-së që vazhdojnë të kenë mëdyshje.

Kosova së fundmi ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Cila do të jetë mbështetja e Britanisë për t’u arritur qëllimi i Prishtinës dhe sa vlerësoni që ka gjasa që kjo të ndodhë?

Stuart Peach: Mbretëria e Bashkuar mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Aplikimi i saj është një pjesë e rëndësishme e integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe është një sinjal i mirëseardhur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj. Këshilli është në thelb një trup i të drejtave njerëzore dhe anëtarësimi do t’u japë mundësi qytetarëve të Kosovës që t’i avancojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Është një mundësi e rëndësishme për popullin e Kosovës dhe Mbretëria e Bashkuara është krenare që mbështet aplikimin e Kosovës. Kemi folur rregullisht me Qeverinë e Kosovës për përgatitjet e tyre dhe planet për procesin dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të gjitha nivelet në Prishtinë, Londër dhe Strazburg.

Janë pesë shtete të BE-së: Spanja, Qipro, Rumania, Greqia dhe Sllovakia që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sa është duke punuar Britania e Madhe që të binden këto vende që ta njohin pavarësinë e Kosovës?

Stuart Peach: Si një prej vendeve të para njohëse të Kosovës, ne mbështesim dhe mbrojmë Kosovën në trupat ndërkombëtare dhe inkurajojmë vendet që ende nuk e kanë bërë që ta njohin Kosovën.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Kosova është rreshtuar krah Perëndimit duke vënë sanksione ndaj Rusisë, por këtë nuk e ka bërë Serbia, shtet i cili i ka të hapur disa kapituj për anëtarësim në BE. Ende nuk janë bërë dy muaj që Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka nënshkruar marrëveshje për furnizim me gaz rus. Si e shihni ju këtë lëvizje?

Stuart Peach: Lëvizja e Kosovës për të vendosur sanksione të shpejta ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë ishte i rëndësishëm dhe i mirëpritur dhe që ishte njohur edhe prej G7. Përmes këtij veprimi, Kosova ka treguar se është partner i besueshëm i NATO-s dhe komunitetit Euro-Atlantik.

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të angazhohet me qeverinë e Serbisë, dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për një qëndrim të unifikuar. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia e ka kthyer luftën në kontinentin tonë dhe është me rëndësi që Serbia të bashkohet me tërë Evropën. Ne gjithashtu jemi duke punuar me qeveritë gjithandej rajonit, përfshirë Serbinë, për ta mbështetur tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe për ta reduktuar varësinë nga Rusia.

Ka një gjykim në Kosovë që Serbia përkëdhelet nga bashkësia ndërkombëtare. A është kjo përkëdhelje pjesë e strategjisë që Beogradi të mos tërhiqet nga Moska?

Stuart Peach: Duhet të them që kjo nuk përputhet me përvojën time – kam pasur dhe do të vazhdojë të kem biseda të hapura dhe të sinqerta me qeveritë, të Kosovës dhe të Serbisë.

Është e vërtetë që Serbia ka lidhje me Rusinë, por gjithashtu ka lidhje të ngushta me pjesën tjetër të Evropës dhe Perëndimit. BE-ja është partneri më i madh i saj tregtar. Ne mbështesim rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe atë të vendeve të tjera në rajon, ngase mendojmë që ajo u ofron njerëzve perspektivat më të mira të mundshme për një jetë të begatë dhe në paqe. Kjo nuk është në mospërputhje me të pasur lidhje me Rusinë.

Britania e Madhe, vendi juaj është treguar i ashpër ndaj pushtimit të Rusia i ka bërë Ukrainës. Kjo lëvizje atje ka nxjerr edhe kërcënime për destabilizim të Ballkanit. A mund të ndodhë kjo dhe ku mund të jetë pikënisja e ndonjë shpërthimi të konfliktit në këtë rajon?

Stuart Peach: Siç e kam thënë më parë, sulmi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë rikthen kujtime të dhimbshme të konflikteve dhe vuajtjeve për shumë veta në Kosovë dhe mbarë rajonit. Unë e vlerësoj shumë shqetësimin nga shumë njerëz këtu dhe në mbarë rajonin për kërcënimin e paraqitur nga Rusia. Mbretëria e Bashkuar është vigjilente ndaj këtij kërcënimi dhe jemi duke rritur mbështetjen tonë për të luftuar ndikimin keqdashës, qoftë përmes mbështetjes dhe ekspertizës në luftën kundër dezinformimit, forcimit të mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike ose ofrimit të këshillave dhe trajnimeve për forcat e armatosura.

Nëse kam një porosi përfundimtare, është të inkurajoj të gjitha elementet e shoqërisë civile në të gjithë rajonit që të kërkojnë mënyra, hapa të vegjël dhe veprime për ta inkurajuar pajtimin, për të dekurajuar autokracinë dhe t’i mbrojtur vlerat që përfaqësojmë: Demokracinë, të drejtat e njeriut dhe rendin e ligjin; kjo është rruga drejt një jete më të mirë për të gjithë./KlanKosova.tv

- Advertisement -

MË TË FUNDIT