EKSKLUZIVE/ Gjendet harta që denoncon demarkacionin, ja ku është vija kufitare me Malin e Zi

Nga Shkëlzen Rrecaj

Në Arkivin e Kosovës gjenden dokumente që pak kush është i informuar për rëndësinë e tyre, ku ndër to janë dhe hartat e Kosovës.

E mes këtyre të fundit, edhe ajo për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që tashmë është top-çështja e ditës në politikën kosovare.

Tesheshi.com, në bashkëpunim me Avdi Gjonbalaj, ish-zyrtar i lartë në MMPH, hulumtoi rreth gjetjes së hartës, e cila shënon qartë vijën kufitare me Malin e Zi.

Në Arkivin e Kosovës gjendet harta 1:100000 e punuar në vitin 1951-1954 dhe e lëshuar nga Komiteti për Ekonomi Ujore i Qeverisë së Republikës Popullore të Serbisë. Kjo hartë, siç shpjegon specialisti, është tematike me ekuidistancë  100m, që d.m.th çdo 100 m është izohipsa.

Harta e tregon shumë qartë se kufiri me Malin e Zi është në Çakorr, Kulla e Zhlebit, Vaganicë, Pllanicë etj., dhe hedh poshtë pretendimet e komisionit qeveritar, drejtorit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha dhe ekspertëve ndërkombëtarë, se vija kufitare e demarkacionit me Malin e Zi është bërë në bazë të parimeve duke u nisur nga pakoja e Ahtisaarit, Kushtetuta e vitit 1974, marrëveshja e Kumanovës, si dhe në bazë të parimeve të Agjencionit Kadastral të Kosovës.

Me këtë marrëveshje, Kosova humb mbi 9 mijë hektarë tokë duke ia dhënë Malit të Zi, akt ky që ka dëmtuar rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Gjonbalaj, për portalin tesheshi.com lidhur me çështjen e demarkacionit tha: “Ka kohë që hulumtoj për të gjetur projektet që i kisha në disponim deri në shtator të vitit 1990, të cilat ishin hartuar për menaxhim të integruar afatgjatë në pellgun e Drinit të Bardhë. Pata fatin që t’ju bie në gjurmë dhe aty gjeta një hartë tematike me shkallë 1:100000, në të cilën është edhe kufiri me Malin e Zi. Kjo na tregon se kufiri ishte në Qafë të Çakorrit në kuotën 1849, e jo aty ku thonë ekspertet e vetëbindur.”

Më tej, z. Gjonbalaj thotë se të gjitha informacionet që i zotëron, do t’i dëshmojë për të treguar se komisioni i Kosovës e ka kryer punën në mënyrën më të papërgjegjshme. “Po ta kishin lexuar historinë e përcaktimit të kufirit në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë së pari, afër Vermoshit dhe veprimin e Prek Calit, ata do të kishin vepruar po si ai patriot shqiptar.” nënvizoi z. Gjonbalaj.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur pezull pasi që opozita po e kundërshton raportin final të komisionit qeveritar.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është kushti kryesor që Kosovës t’i liberalizohen vizat./tesheshi.com/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT