Enver Hoxhaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, do të jetë kandidat i partisë për kryeministër.

Gazeta Express mëson se Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe ka vendosur që Hoxhaj të jetë bartës i listës dhe kandidat për shef të Qeverisë në zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh, prej kur shpallen.

PDK-ja ka mbetur pa kryetar, prej kur Kadri Veseli u arrestua dhe po mbahet në Hagë nën dyshimet për krime të luftës.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi Gjykata Kushtetuese doli me vendim se votimi i Qeverisë së Avdullah Hotit është jokushtetues, sepse aty ka votuar deputeti Etem Arifi, i dënuar me burg.

Në listën e ngushtë të kandidatëve të ngushtë që PDK-së për kryeministër janë përmendur Hoxhaj dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Ky i fundit ka thënë se nuk ka ambicie për të qenë kandidat.

Enver Hoxhaj ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Isa Mustafës. /Express/