Kompania “Johnson & Johnson” tha të premten se vaksina e saj, që jepet vetëm me një dozë, është treguar 66 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes Covid-19 në një testim të gjerë kundër disa varianteve të virusit në tri kontinente.

Në testimin ku morën pjesë rreth 44.000 persona, niveli i mbrojtjes nga Covid-19 mesatar dhe i rëndë që ofroi kjo vaksinë ishte 72 për qind në Shtetet e Bashkuara, 66 për qind në Amerikën Latine dhe vetëm 57 për qind në Afrikën e Jugut, ku është duke u përhapur një variant shqetësues.

Qëllimi kryesor i kompanisë ishte parandalimi i rasteve mesatare dhe të rënda të Covid-19 dhe vaksina ishte 85 qind efektive për parandalimin e rasteve të rënda dhe hospitalizimin e të infektuarve në të gjitha rajonet dhe kundër disa varianteve 28 ditë pas imunizimit, shkruan Reuters.

“Potencialisht, kjo do të mbrojë qindra miliona njerëz nga rezultatet serioze dhe fatale të Covid-19”, tha zyrtari kryesor shkencor i kompanisë “Johnson & Johnson”, Paul Stoffels.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara njoftoi se asnjë person që e mori këtë vaksinë gjatë testimit nuk ka vdekur.