Edita Tahiri, kur jam në Tiranë kam një emocion të veçantë

Me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ministrja per Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në punimet e Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare që u mbajt në Tiranë prej datës 18 deri 20 nëntor 2016.

Në mbrëmjen gala me të cilën u përmbyllën punimet e Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare, ministrja Edita Tahiri bëri dorëzimin solemn të trofeut “Shqiponja e Artë” për organizatën “Shpresa” që vepron në Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar tejkalimin e sfidave për shqiptarët atje. Me këtë rast ministrja Edita Tahiri tha se kur jam në Tiranë gjithmonë kam një emocion të veçantë. Muri i Berlinit shqiptar që e patëm për shumë dekada, na la një mall të pashuar. Ende sot e ndjej edhe pas 25 vjetësh që kur ra ky mur mes nesh. Sot jemi shumë më mirë, kombi jonë shqiptar bëri kthesa të mëdha historike. Por, ne të gjithë duhet të punojmë që ta forcojmë kombin tonë, ta bëjmë një komb lider në rajon dhe më gjerë.

Ministrja Tahiri në margjinat e Samitit të Parë të Diasporës në Tiranë takoi ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili e uroi ministren Tahiri për kodin telefonik të Republikës së Kosovës që rezultoi nga Marrëveshja e Brukselit, duke thënë se kjo është një e arritur e madhe për shtetin e Kosovës.

Po ashtu, ministrja Tahiri takoi personalitete të shumta nga diaspora, bashkëpunëtorë të saj gjatë periudhës së çlirimit të Kosovës, me të cilët evokoi kujtime nga koha kur ajo si ministre e Jashtme e Kosovës për dhjetë vjet me radhë kishte punuar gjithandej botës për të siguruar përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këto biseda me bashkatdhetarët nga diaspora, ministrja Edita Tahiri tha se diaspora shqiptare ka qenë dhe mbetet e fuqishme, mbështetëse dhe vizionare, kontributi i së cilës është i shënuar në faqet më të lavdishme të historisë së kombit shqiptar dhe të shtetit të Kosovës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT