Edita Tahiri: Arritje e madhe historike për Kosovën

Edita Tahiri ka bërë të ditur se shteti i Kosovës mori kodin telefonik ndërkombëtarë nga ITU dhe ky kod është 383.

Tahiri ka bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se kjo është arritje e madhe historike për Kosovën.

Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të saj:

Kam kënaqësinë që t’ju njoftoj publikisht se shteti i Kosovës mori kodin telefonik ndërkombëtarë nga ITU dhe ky kod është 383.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se kjo është arritje e madhe historike për Kosovën.

Unë uroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për marrjen e kodit telefonik dhe falënderoj gjithë institucionet e shtetit tonë për arritjen e këtij objektivi madhor për shtetin dhe sektorin e telekomunikacionit. Falënderojmë BE-në, partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të, Gjermaninë dhe vendet tjera për mbështetjen për kodin.

Falënderojmë gjithashtu Austrinë e cila ka aplikuar për kodin telefonik për Kosovën.

Falënderojmë ITU-në, organizatën e specializuar të OKB-së për telekomunikimet për alokimin e kodit.

Falënderoj gjithashtu edhe anëtarët e grupit qeveritar për telekomin:

  1. Kreshnik Gashi, Koordinator profesional dhe kryetar i bordit të ARKEP-it,
  2. Gazmir Raci, koordinator politik dhe këshilltar politik,
  3. Ilir Imeri, drejtor i departamentit të komunikimeve elektronike në ARKEP,
  4. Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit në Telekomin e Kosovës,
  5. Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës,
  6. Robert Erzin, kryeshef i IPKO-së,
  7. Zana Bejta, shefe e zyrës ligjore në IPKO

si dhe Ekrem Hoxhën, ish kryetarin e bordit të ARKEP-it dhe ish koordinator profesional i grupit për telekomin.

Faleminderit gjithashtu edhe Kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa i cili është sot këtu në këtë konferencë dhe i cili e ka mbështetur këtë proces gjithashtu.

Marrja e kodit telefonik për shtetin ka rëndësi të madhe. Efektet do të jenë shtetërore, të sovranitetit, ekonomike dhe të sigurisë. Kodi telefonik forcon subjektivitetin ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës. Me kodin telefonik, Kosova e fitoj identitetin shtetëror në fushën e telekomit. Kosova fitoi njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj në fushën e telekomit.  Efektet ekonomike janë të mëdha, milionëshe, sepse nuk do të ketë shpenzime financiare siç kemi pasur deri tani me kodet e huaja. Kodi telefonik krijon mundësi për shërbime më të mira të telefonisë dhe për kosto më të favorshme për qytetarët. Kodi telefonik ndërkombëtarë është rezultat i marrëveshjes së Brukselit. Kosova është pronare e Kodit. Kosova  administron vetë me kodin e vet telefonik. Kosova do të bashkëpunoj direkt me ITU për implementimin e Kodit. Autoriteti Rregullator i Kosovës për telekomin (ARKEP) është institucioni kompetent për zbatimin e kodit. Kosova do të ketë vetëm një kod +383. Do të shuhen të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 me zbatimin e 383. Qytetarët e Kosovës do të identifikohen me kodin e shtetit të vet në të gjithë botën dhe jo si në të kaluarën me kodet e shteteve tjera.  Shuhen operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999.  Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.  Kufiri frekuencor vendoset në mes Kosovës dhe Serbisë. Hapet mundësia për realizimin e planit shtetëror për digjitalizim -përfshihemi në trendët globale të digjitalizimit.

E gëzofshim të gjithë kodin telefonik të Republikës së Kosovës. Urime.

Ju faleminderit.