Unai Emery dhe Jorge Sampaoli ishin gati të përlesheshin fizikisht gjatë miqësores së luajtur në “Velodrom”, midis Marseille dhe Villarreal. Përballja e nxehtë u provokua në minutën e 46-të të takimit, kur Gerson pësoi ndërhyrje të gabuar nga Juan Foyth.

Arbitri Pierre Gaillouste vendosi t’i tregojë kartonin e dytë të verdhë lojtarit dhe për pasojë të kuqin automatikisht. Përballë protestave të Unai Emery, gjyqtari gjithashtu vendosi t’i tregojë trajnerit iberik kartonin e kuq, i cili para se të dilte nga fusha u përball me kolegun argjentinas, Sampaoli.

Ky i fundit, i gjendur nën sulmin verbal të kolegut spanjoll, u irritua pa masë, sa duhej ta mbante njëri prej asistentëve të tij që të mos kacafytej me Emery. Trajneri i Sevilla deshi të kthehej nga tuneli i stadiumit për të vazhduar diskutimin, por në fund u tërhoq dhe shkoi në dhomën e zhveshjes.

Një rast i rrallë që gjakrat ndizen aq keq mes dy trajnerëve kundërshtarë në një ndeshje, aq më tepër miqësore, jo zyrtare, ku nevoja për pikë të shtyn drejt së pamundurës. Jemi mësuar të shohim futbollistët të kacafyten, edhe 11 me 11, por trajnerët dhe stafet teknike kanë ndërhyrë gjithmonë për t’i qetëesuar.

Kësaj here, Emery dhe Sampaoli mund të kishin bërë skandal, nëse ndihmësit e tyre nuk do të bëheshin “gardh” mes tyre.