E pabesueshme, njeriu që nënshkroi kontratën me Z-Mobile, tash vajton vendimin e Arbitrazhit

Ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, sipas të cilit Telekomi i Kosovës duhet t’i paguajë dëmshpërblim prej 30 milion eurove Kompanisë së Z-Mobile. Por, ishte pikërisht Haxha ai i cili kishte nënshkruar këtë marrëveshje, sa ishte në udhëheqje të Telekomit.

Sipas tij, stafi i Telekomit të Kosovës kanë qëndruar duarkryq dhe pritën dëmin që u shkaktua. Madje, ai thotë se i tërë ky proces, të cilin e kishte nisur vetë, është i qëllimshëm.

“Kjo që ka shkruar z. Abdixhiku është absolutish e sakt. Metoda të sofistikuara për të justifikuar dëmin dhe sigurisht se është bërë në koordinim prap të sofistikuar me menagjmentin egzistues të Telekomit të Kosovës. Klithmat e menagjmentit egzistues janë shumë të dyshimta, ata duhet të deklarohen publkisht me një sinqeritet njerëzor se cili ishte roli i tyre në këtë proces dhe si erdhi deri te futja e Telekomit të Kosovës në një rrezikshmëri kaq të papar. Manipulime të sofistikuara të këtij menagjmenti që shkatrroj Telekim para syve të 2300 punëtorve dhe para syve të 2 milion qytetarve. Pse stafi dhe sindikata e Telekomit të Kosovës ndejten duar kryq dhe pritën deri u shkaktuar ky dëm tash? Pse bordi lejoj këtë menagjment te fundos Telekomin e Kosoves në këtë formë? I tërë ky proces duket i qëllimshëm”, thuhet në një reagim të Haxhës në rrjetin social “Facebook”.

Bazuar në padinë e Z-Mobile, ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës”, ka shkelur marrëveshjen e lidhur mes palëve më 16 janar të vitit 2009. Kjo marrëveshje i ka mundësuar kompanisë “Z-Mobile”, që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. /Periskopi/Drenicapress.info/