E-maili në emër të “Rugovasve” që çoi në arrestimin e aktivistëve të VV-së

Një e-mail i dërguar nga një grup i ashtuquajtur “Rugovasit” vetëm një ditë pas sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës duke marrë përgjegjësinë për rastin, ka qenë pikënisje e hetimeve të Policisë së Kosovës që ka rezultuar me arrestimin e gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes.

Kështu ka sqaruar në një konferencë për media, Fatos Makolli, nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës, duke prezantuar detaje të reja të hetimeve të Policisë.

E-maili sipas tij ka nxitur dy pista hetimi: njëra për identifikimin e lokacionit nga ku është nisur e-maili dhe pista e dytë për identifikimin e personave që kanë dërguar atë.

Të martën, gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan për sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës.  Prokuroria thotë se ata dyshohen për vepër terroriste, pretendime të cilat janë hedhur poshtë nga Vetëvendosje.  Sipas partisë më të madhe opozitare, rasti është i montuar dhe vjen vetëm pak dy ditë para mbajtjes së protestës kundër demarkacionit.

Makolli ka sqaruar tutje se gjatë hetimeve kanë arritur që të identifikojnë edhe një person i cili nga një vend nga perëndimi ka sjellë një motoçikletë që ishte përdorur gjatë kryerjes së sulmit si dhe është identifikuar telefoni nga ku është shpërndarë e-maili dhe personat që kanë përdorur atë.

“Është identifikuar pastaj edhe personi që e kishte shitur telefonin dhe blerësi ambulantiv”, sqaron ai.

I pyetur nga gazetarët nëse bëhet fjalë për e-mailin e njëjtë përmes së cilit është marrë përgjegjësia edhe për sulmin ndaj RTK-së, Makolli ka thënë se nuk mund të konfirmojë një gjë të tillë.

Ai ka thënë se këto janë disa prej dyshimeve që kanë shtyrë arrestimin e këtyre personave.  Makolli thotë se të tjerat dëshmi nuk mund të bëhen publike në këtë kohë për shkak të vazhdimit të hetimeve.

“Hetimet për këtë rast nuk kanë përfunduar, ato janë duke vazhduar edhe në identifikimin e personave të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai./Insajderi.com

- Advertisement -

MË TË FUNDIT