Kosova është zotuar se do të presë një numër të afganëve të cilët po evakuohen prej Aeroportit të Kabulit.

Largimi i tyre vjen si pasojë e marrjes së pushtetit në Afganistan nga talibanët, ndërkohë që disa shtete kanë dalë në krah të SHBA-së për pritje të tyre. Gazeta Express ka mësuar se sot pritet të vijnë një numër i tyre në Aeroportin e Prishtinës rreth orës 20:45.

Në pritje të tyre do të jenë liderët shtetërorë.

SHBA-të kanë shprehur falënderimin e tyre për pritjen që u bëhet refugjatëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Po ashtu, Ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright ka shprehur mirënjohjen e saj për vendet që kanë pranuar të mirëpresin refugjatët afganë, në mesin e tyre edhe Kosovën dhe Shqipërinë. /Express/