Profesori i Universitetit të Prishtinës, Agron Dida është sulmuar nga qentë endacak, raporton Gazeta Blic.

Lajmin e ka bërë public vetë Dida, në një status në Facebook, derisa ka publikuar edhe fotografitë se si e kanë sulmuar qentë endacak.

“Andaj, ju këshilloj zyrtarëve përgjegjës të Komunës, që të angazhojnë konsulentë profesional, çoftë edhe nga jashtë Kosovës, sepse po shihet qartë se ata nuk janë në gjendje të përballohen me këtë problem”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Para ca ditësh, 200m nga shtëpia jonë në Bërnicë të Epërme, në rrugën që çon në Siqevë, Kimeten dhe mua na sulmuan dy qenë endacakë, befasishtë, pa asnjë ngacmim nga ana jonë. Kur më rrëzuan për toke për herë të parë, u ngrita dhe vazhdova të sillja me këmbë për tu mbrojtur, por pastaj më rrëzuan edhe një herë, me që rast lëndova rëndë gishtin e madh të dorës së majtë, gjurin e këmbës së djathtë, bishtin e kurrizit, nyjet e të dy duarve. Në ndërkohë, Kimetja kërkoi ndihmë prej fqinjëve tanë që menjëherë dolën dhe më shpëtuan.

Operacioni i gishtit zgjati rreth 50 minuta dhe dua ta falënderoj përzemërsisht Dr. Arban Demin me koleget e kolegët e tij për operacionin e suksesshëm që e bënë në Emergjencën e QKUK.

Unë jam një adhurues i natyrës dhe qentë për mua janë miqtë më të vjetër e më të respektuar të njeriut.

Mirëpo, menaxhimi i planifikuar mirë dhe i zbatuar me kujdes të duhur, i problemit të habitatit të qenëve endacak, jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por edhe në shumë komuna tjera të Kosovës, mbetet vetëm një ëndër për tu dëshiruar. Andaj, ju këshilloj zyrtarëve përgjegjës të Komunës, që të angazhojnë konsulentë profesional, çoftë edhe nga jashtë Kosovës, sepse po shihet qartë se ata nuk janë në gjendje të përballohen me këtë problem.