dyshuari për vrasjen e 25 vjeçarit në Mitrovicë është vëllai i personit që e ka vrarë një student me kallashnikov para 5 viteve

Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona të dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit me inicialet A.M., mbrëmë në Mitrovicë. Ata janë vënë në kërkim nga Policia e Kosovës, teksa Express nga burime brenda Policisë së Kosovës mëson se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e të riut është L.B., vëllai i V.B., i arrestuar për vrasjen e një studenti në afërsi të gjimnazit “Frank Bardhi”, në Mitrovicë, në vitin 2016.

L.B. dhe shoku i tij janë vënë në kërkim të Policisë së Kosovës për shkak se të njëjtit dyshohet se mbrëmë pas mesnatës, pas një mosmarrëveshje e kanë sulmuar me thikë viktimën A.M., 25 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve të marra ka vdekur.

Burime të Express, brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se L.B., është vëllai i V.B., i arrestuar për vrasjen me kallashnikov të një studenti 21-vjeçar, në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë para pesë viteve, teksa është e paqartë nëse ai është dënuar për këtë vrasje.

Poashtu, Express mëson se L.B., ka dosje kriminale në Policinë e Kosovës dhe se mbi të rëndojnë disa akuza për vepra penale, teksa shoqëruesi i tij ka dosje të pastër në polici.

Lidhur me vrasjen e mbrëmshme detaje kanë dhënë zyrtarisht Policia e Kosovës. Sipas një njoftimi për media, të dyshuarit për vrasje janë identifikuar dhe janë në kërkim të policisë.

“Rreth orës 00:15, të datës 30 tetor 2021,  policia në Mitrovicë, ka pranuar informacion se në rrugën ‘Artim Jashari’ pas një zënke-mosmarrëveshje është  sulmuar fizikisht viktima: A .M. 26 vjeçar, lëndimet dyshohet të i jenë shkaktuar me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj  kosovarë. I lënduari -viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë është transportuar në QKUK- ku si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML. Nga  veprimeve të  deritanishme hetimore, hetuesit policor  kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes  së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin  e veprës penale  Vrasje”, thuhet në njoftim. /Express/