Dy filma të Alban Mujës në Tiranë

Artisti kosovar, Alban Muja, këtë të premte do të prezantohet me dy filma në një nga hapësirat kryesore kulturore në Tiranë, Tulla Center.
Pos dy filmave “Blue Wall Red Door” dhe” The legendary dog”, Muja në këtë qendër do të ketë edhe një fjalim artistik mbi temën “Kurrë nuk kam ditë me e shpjegu, por po munohem shumë…”, emër ky i një prej ekspozitave të artistit në të kaluarën.
“Blue Wall Red Door” është film 33 minuta, që tregon për mënyrën se si njerëzit në Kosovë e orientojnë veten, ku emrat e rrugëve nuk janë pikë e parë e orientimit. Ndërsa, filmi tjetër “The legendary dog”, flet mbi qenin e Marina Abramovic-it dhe partnerit të saj të dikurshëm Ulay. Në 14 minuta tregohet një histori e këtij qeni dhe ndihmës së tij në “misionet” artistike të dyshes, me përzierjen e Mujës në këtë histori.
Alban Muja është artist vizual dhe filmbërës, i cili ka karrierë brenda dhe jashtë Kosovës. Ai është shpërblyer me shumë bursa në vende të ndryshme të botës. Puna e tij është e fokusuar në video instalime, film të shkurtër, film dokumentar, piktura, vizatime, fotografi dhe performanca.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT