DW: Si mund të marrësh azil në Gjermani (Video)

Bumin e kërkesave për azil të këtyre kohëve, Gjermania nuk e ka përjetuar prej vitesh. Vërshimi i njerëzve është i madh, i shtyrë duket sa nga vështirësitë ekonomike, aq edhe nga konfliktet në veri të Afrikës e Lindjen e Mesme.

Në një artikull të saj, ‘Deutsche Welle’ sqaron me imtësi se cilat janë procedurat e kërkesës për azil. Kush vjen si refugjat në Gjermani, duhet të paraqesë fillimisht ose te një autoritet i kufirit, te policia ose tek autoritete të tjera, një lutje për azil. Pastaj, personi dërgohet në një kamp ku mblidhen refugjatët, në një të ashtuquajtur institucion të parë të regjistrimit.

Çdo azilkërkues ka vetëm 6,5 metra katrorë në dispozicion për të banuar. Pas tre muajsh merr fund detyrimi për të banuar në një kamp të regjistrimit të parë dhe azilkërkuesit dërgohen në qarqet e secilit land federal. Vitin që shkoi, një gjë të tillë përjetuan më shumë se 10.000 vetë, pjesa dërrmuese e të cilëve u kthyen me avionë. Ndërkohë që për fluksin e shqiptarëve që kanë mësyrë Gjermaninë javët e fundit, autoritetet janë shprehur se ata do të kthehen pothuajse të gjithë.

Top Channel ka ndjekur ndërkohë të gjithë rrugëtimin e përshkuar nga shqiptarët që nisen drejt Gjermanisë me shpresën se do të përfitojnë azil në ekonominë më të fuqishme të Europës. Nga nisja me autobus nga Shqipëria, deri në kampet ku ata kërkojnë strehim, kamera e Top Channel ka marrë rrëfimet e disa prej tyre, por edhe mendimin e ekspertëve dhe politikanëve mbi fenomenin, çfarë po ndodh, zgjidhjet që duhen dhënë dhe çfarë do të ndodhë kur ata të kthehen sërish në atdhe.

Akademiku Kosta Barjaba shprehet: “Shpërthimi i këtij fluksi jo të zakonshëm migrator të shqiptarëve kohët e fundit nuk është një rrufe në qiell të kthjellët sepse shqiptarët kanë qenë gjithnjë një popull migrues, janë ikësit më të mëdhenj të rajonit”.

Të plotë, dokumentarin e realizuar mbi atë që është shndërruar në një prej çështjeve më nevralgjike të këtyre javëve të fundit, do të keni mundësi ta ndiqni sot në mbrëmje, në orën 21:00 në Top Channel

- Advertisement -

MË TË FUNDIT