Dukuritë negative në shkolla: Ka nevojë për aktivitete jashtëshkollore dhe bashkëpunim me prindër

Ka pasur raste të ndryshme ku siguria e nxënësve dhe e profesorëve nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Shembull tipik i kësaj është kur dy profesorë të Shkollës së mesme teknike “Fan Noli” në Podujevë, janë rrahur disa javë më parë nga disa nxënës të tyre, në oborrin e shkollës.

Arsyeja pse nxënësit rrahën profesorët, ishte humbja e vitit shkollor.

Një tjetër rast që vlen për tu theksuar është edhe gjuajtja me revole nga një profesor në shkollën profesionale “Selajdin Mullabazi – Mici” në Rahovec në drejtim të nxënësit të tij.

E njohësja e kësaj fushe Sofije Kryeziu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë për Telegrafin se siguria në shkollat e nivelit fillor dhe të mesëm vazhdon të mbetet një prej sfidave për institucionet shtetërore si dhe shoqërinë në përgjithësi edhe pse ka rënie të numrit të rasteve me fatalitet.

Sipas saj, edhe qytetarët kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me dhunën në shkolla.

“QKSS në kuadër të programit Barometri Kosovar i Sigurisë ka bërë majtën e perceptimeve të qytetareve mbi dhunën prezente nëpër shkolla. Sipas rezultateve të mbledhura në dy vitet e fundit, përkatësisht në fund të vitit 2014 dhe në fund të vitit 2015, mesatarisht 31% e qytetarëve kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e dhunës nëpër shkolla”, ka bërë të ditur.

Nëse krahasohen të dhënat në dy vitet e fundit sipas Kryeziut, vërehet që në vitin 2015 kishte një ulje në perceptimet e qytetarëve për rritjen e dhunës ndërmjet nxënësve apo edhe dhunës së shkaktuara nga persona të tretë brenda apo afër ambienteve shkollore.

“Kjo mund të ketë ndikuar nga fakti që hapa në drejtim të ngritjes së sigurisë janë bërë viteve të fundit ndër tjerash me vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamera në shkolla dhe hapësira të ndryshme në qytet. Ndikim pozitiv kishte edhe kontraktimi i personelit të sigurimit fizik privat nga ana institucioneve arsimore. Vendosja e kamerave në shkolla mund të ketë ndikuar perceptimin e qytetarëve si formë e mbikëqyrjes së sigurisë në institucione arsimore/shkolla me qëllim të parandalimit të veprimeve të dhunshme dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor. Në të njëjtën kohë vëzhgimi me kamera mund të ndikojë dukshëm në sjelljen e nxënësve duke zvogëluar edhe rastet e incidenteve të ndryshme nëpër këto ambiente”.

Ajo gjithashtu tregoi se respodentët që jetojnë në zona urbane me diference prej së paku 12% ndihen më të shqetësuar për dhunën e shfaqur në shkolla kundrejt atyre që jetojnë në zona rurale.

“Një prej problematikave e hasur kohëve të fundit përveç tjerash, janë edhe problemet e natyrave të ndryshme në mes të vet përfaqësuesve të arsimit. Këto ngjarje mund të kenë kundër efekt tek nxënësit dhe të ndikojnë në perceptimin e seriozitetit të institucioneve përkatëse, të cilat edhe ashtu ofrojnë mjedis të varfër shkollor dhe mundësi të kufizuara për aktivitete të tjera jashtë programit mësimor për nxënësit”, theksoi njohësja e fushës së sigurisë.

Por cilat mund të ishin hapat që mund të ndikojnë në përmirësimin e sigurisë së përgjithshme në shkolla?

“Përmirësimi i sistemit të arsimit dhe krijimi i mundësive jashtëshkollorë për të rinjtë janë hapat që mund të ndikojnë në përmirësim. Shumica dërmuese e qytetarëve (mbi 90% në të dyja rastet) kanë deklaruar që duhet të zhvillohet tutje sistemi i arsimimit pasi që sipas tyre deri më tani ka provuar të jetë i dobët, si dhe kanë theksuar mungesë të zhvillimit të aktiviteteve të tjera për të rinjtë. Duke marr parasysh që edhe rinia në Kosovë i ka përgjithësisht mundësitë e kufizuara që të zhvillojë aktivitete të tjera jashtëshkollore, krijon hapësirë për sjellje të pahijshme dhe delikuencë në mesin e të rinjve. Andaj, shprehet nevoja e ofrimit të aktiviteteve jashtëshkollorë që përfshijnë aktivitete kulturore, sportive dhe të tjera të cilat do të kontribuonin në zhvillimin e shkathtësive shoqërore, disiplinore dhe zotësive të tjera në mesin e gjeneratave të reja”, tha ajo duke shtuar se një prej hapave të një rëndësie të veçantë duhet të jetë edhe vetëdijesimi i shoqërisë për sigurinë publike pa përjashtuar sigurinë në shkolla.

“Rëndësi e veçantë duhet të i kushtohet fuqizimit të bashkëpunimit në mes të përfaqësuesve të institucioneve arsimore, nxënësve dhe prindërve. Gjithashtu, rritja e prezencës së policisë në afërsi të shkollave ka ndikim pozitiv për parandalimin e dukurive negative”, tha njohësja e fushës për siguri Sofije Kryeziu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT