Duke provuar armën, vret xhaxhain

Prizren, 8 dhjetor – Rreth orës 16:15 minuta, policia në Prizren kishte pranuar një informatë, e cila bënte me dije se në rrugën “ Kukësi” ka pasur të shtëna nga armë të zjarrit dhe se një qytetar ishte plagosur rënd, i cili ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim mjekësor. Mirëpo, sipas mjekëve, viktima nuk ka mundur të mbijetojë.

Sipas hetuesve rajonalë dhe krim-teknikëve, që kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes në prani të kryeprokurorit dhe prokurorit të rastit, është bërë e ditur se: dy vëllezër dhe nipi (djali i vëllait) i tyre kishin dalë në një livadh afër shtëpisë së tyre për të shtënë me armë zjarri dhe me vete kishin marrë dy pistoleta. Gjatë manipulimit të pasigurt, dyshohet se i dyshuari E. Sh. i vitlindjes 1996, nga pakujdesia e ka shkrehur një plumb në drejtim të xhaxhait të tij, i cili rezultoi të ishte fatal, njofton Policia në Prizren.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy pistoleta të llojit dhe kalibrit të panjohur, katërmbëdhjetë fishekë të kalibrave dhe llojeve të ndryshëm, tri gëzhoja, ndërsa pas bastisjes së shtëpisë së personave të dyshuar është sekuestruar edhe një pushkë gjahu.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi, ndërsa i dyshuari ndalet në masën e arrestit policor.