Drenicasit dhe vuajtjet e tyre të mëdha për lirinë e Kosovës

///  Shkruan: Labinot Smakaj   ///

Vuajtjet dhe përjetimet e drenicaseve, gjatë shekujve e veçmas luftës së fundit 1997-1998, meritojnë më shumë se sa kompensim material e moral. Drenicasit meritojnë t’i shohin në burg ata që bënë gjenocid mbi ta!

Duke parë protestën e qytetarëve të Skënderajt, para Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e dëmeve gjatë luftës se fundit, se ç’më erdhën në kujtime gjërat që i kam përjetuar gjatë kësaj lufte 1997-1998, si një 13 vjeçar që isha.

E mbaj mend, që në ofensivën e muajit Shtator 1998 na larguan nga shtëpia, pasi që forcat paramilitare serbe ia kishin mësyrë Likocit dhe Abrisë, aty ku ndodhej Shtabi i UÇK-së.

Ne si një familje e madhe me diku 42 anëtarë, ku shumica ishin gra e fëmijë si dhe gjyshja ime një plakë që po përjetonte luftën e dytë gjatë jetës së saj (ngase kishte përjetuar edhe luftën e II Botërore), u detyruam t’ia mësyjmë Qyqavicës.

Hipëm në rimorkion e traktorit një pjesë, ku traktorin do e voziste babai im, një mësues dhe aktivist i palodhshëm i çështjes kombëtare dhe një shok i ngusht i ish-të burgosurit politik z. Bilall Kryeziut. Kurse unë si 13 vjeçar me një pjesë të grave e femijëve do hipja në një karrocë me kuaj.

Natën e 11 Shtatorit 1998 do e kalonim tek Xhamia e Abrisë në Livadhe, ku degjoje ulerimat e fëmijëve të vegjël që qanin pa ndërpre, kukamat e grave e nënave që qanin për burrat dhe bijtë e tyre, krismat e armëve, dukej se edhe malet po qanin nga tmerri. Kah mëngjesi do t’ia mësynim Qirezit. Me të arritur në Qirez, babai më thotë: ‘Lab mos i trego nënës,’ ishte fjala për Gjyshen, sepse Rifati, mixha im një bashkëluftëtar i orëve të para të UÇK-se ishte plagosur rëndë në betejën e Rezallës. Por Gjyshja sikur e ndjente që kishte ndodhur diçka, do të pyeste babain, ‘A moret vesh najsen për Rifatin?’ Babai i tha: ‘Po në luftë jemi oj Nanë, njëherë nuk dimë gja.’ Kushërinjtë disa, bashkëfshatarët disa, shkuan për në një fshat Novolan. Kurse ne shkuam tek tezaku i babës në Kozhicë tek Izet Sahiti. Izeti, një burrë bujar e me zemër të madhe, na priti e na hapi derën, duke na thënë: ‘Shpia ime, është edhe shpia e juaj!’
Të nesërmen me 12 Shtator 1998, axhën Rifatin e kishin sjellë të plagosur në shkollën-spital të UÇK-se në Gradicë. Vëllai Dritoni do e marrë Gjyshen t’i thotë se do shkojmë ta takojmë Rifatin e Gjyshja i thotë: ‘A është gjallë apo të vrarë do e shoh?’ ‘Jo Gjyshe’ ia kthen Toni me lotë në sy, ‘edhe pse me dy plagë të rënda gjallë dhe i fort po mbahet.’ Gjyshja hyn në atë “spital” dhe kur e sheh axhin i thotë: ‘ Mbahu bir se në dasëm nuk ke shkuar, por e di që ti dhe shokët tuaj nuk do dorëzoheni. Ne për këtë ju lindëm ju, që të ia falim Kosovës, andaj jo vetëm Rifati por edhe 4 tjerët le të vdesin vetëm që shkaun ta heqim nga kjo tokë.’

Do qëndronim deri më 24 Shtator 1998 në Kozhicë, ku do vinin forcat serbe. Do zhvendoseshim në male të Qyqavicës. Ditën e 24 Shtatorit 1998 dhe një pjesë të natës do e kalonim maleve, kah mesnata do shkonim për Verboc tek Halla jonë Rabishja. Aty do vendoseshim atë natë. Me ne familjen, nga meshkujt ishte vetëm babai im, i cili nuk kishte pranuar të na linte vetëm, pavarësisht rrezikut se do kapej i gjallë apo vritej nga serbët.

Mëngjesin e 25 Shtatorit 1998, babain do e kërkonte një kushëri, ku i tregon se djali i axhës së babait, Afrimi, binjak me Lulzimin, ishte vrarë në Qyqavicë. Babi prap me thotë të mos flasë njëherë me të tjerët, më tha: ‘ E di bir edhe ti fëmije je, por këtë vit si me inat po me ngjan si burre, je pjek para kohë.’ Nëna e Afrimit ishte me mua në karrocën e kuajeve. Me Afrimin isha rritur edhe pse ai ishte 8 vite para meje, unë gjithë kohën e fëmijërisë e kisha kaluar me të duke ruajtur bagëtinë. Kur e shihja Dadën Vahide (Nënën e Afrimit), nuk ndalesha duke qajtur, lotët me shkonin rrëke e zemra më shpohej, nuk besoja që nuk do e shoh më Afrimin, madje as të vdekur ngase tashmë axha im Hamza së bashku me burrin e Hallës nga Likoci Halimin, e kishin varrosur Afrimin e ri.

Më 25 Shtator 1998, do kthehemi në Baks, aty ku ishte e martuar motra e Afrimit. Ishin mbledhur të gjithë. Nëna e Afrimit e ndjente akoma pa u afruar. ‘Po cilin ma kanë vra?!’, tha.

Vazhdon…

- Advertisement -

MË TË FUNDIT