Drenasi shpalli qytetar nderi zv.Presidentin e Parlamentit Evropian

Komuna e Drenasit, edhe zyrtarisht të shtunën ne një ceremoni të organizuar i ka dorëzuar titullin “Qytetar nderi i Komunës”, Zëvendës Presidentit të Parlamentit Evropian, z. Ranier Wieland.

Fillimisht, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe stafi i tij, kanë pritur zëvendës presidentin Wieland në zyre, ku Lladrovci ka njoftuar për punën dhe projektet e Komunës së Drenasit.

Pastaj në seancën e Kuvendit të Komunës ku ishin të pranishëm asambleist të Kuvendit, përfaqësues të subjekteve politike, fetare, kulturore e diplomatike, edhe zyrtarisht i është dorëzuar çmimi “Qytetar nderi i Komunës” .
Seancën Solemne e ka hapur kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Labinot Halilaj i cili edhe ka paraqitur një historik të shkurtër të veprimtarisë së Wielandit.

Pastaj kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shpallja e qytetar nderi i Komunës së Drenasit, e nderon jo vetëm zotin Wieland, por nderon gjithë Kosovën. “Kosovaret kanë respektin me të madh për popullin gjerman dhe përveç kësaj ne jemi evropian. Përgëzoj kryetarin Ramiz Lladrovci për veprën e qëlluar, për nderin që ai dhe Komuna po i benë Rainerit, që është edhe nënkryetar i Parlamentit Evropian me dhënien e titullit Qytetar Nderi i Komunës së Drenasit”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në fjalimin e tij ka falënderuar Wieland për angazhimin e tij për qytetarët e Drenasit dhe të Kosovës.

“Sot jam qytetari më krenar i Drenasit, duke iu pasur edhe juve qytetar nderi. Kosova tash më është e lirë, Drenasin do të bëjmë qytet, ku qytetarët kanë mundësi të bëjnë jetë dinjitoze. Ju e dini se në Drenicë filloi lufta e Kosovës, por pa ndihmën tuaj nuk do të mund të ishim të lirë. Ne presim që të hapen rrugët për liberalizimin e vizave. Unë kam besim të madh tek ju se do të bëni më të mirën e pamundshme për ne qytetarët e Kosovës. Lus që të përdorni autoritetin tuaj që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të izoluar, ndërsa ne do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin”, ka thënë kryetari Lladrovci mes tjerash në fjalimin e tij.

Zëvendës Presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, tha se ndihet i nderuar e mbivlerësuar me çmimin e dhënë dhe se ndien obligim për të intensifikuar punën për Drenasin dhe Kosovën.

“Është obligim për mua të intensifikoj gjithë punën që kam bërë deri më tash. Ndihem i nderuar që vendimi për këtë çmim është marrë unanimisht nga Kuvendi Komunal. Investimi në edukim është investimi më i mirë që mund të bëni. Ju përgëzoj për të rinjtë tuaj që vijnë në Gjermani, njerëz me qëndrime të çarta e që ishin ambasadorët më të mirë për vendin tuaj”, tha mes tjerash zëvendës presidenti Wieland, duke ju referuar nxënësve të Drenasit që kanë bashkëpunim me shkollat gjermane.

Më pas kryetari Lladrovci, zv.Presidenti i PE-së, Rainer Wieland i shoqëruar me delegacionin e gjerman, kanë vizituar Shkollën e Mesme Gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ku edhe kanë bashkëbiseduar me nxënësit e kësaj shkolle, ku kjo shkollë ka edhe bashkëpunim të ndërsjellë me shkollat gjermane që nxënësit nga Drenasit vizitojnë shkollat e tyre dhe anasjelltas.

Kryetari Lladrovci ka shoqëruar Wielandin edhe për nga një kafe ne sheshin e qytetit, pastaj kanë vazhduar vizitën në kompleksin e Jasharajve në Prekaz dhe kishën katolike “Shën Abrahami” në Llapushnik.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të kryetarit Lladrovci me rastin e dorëzimit të çmimit “Qytetar nderi i Komunës” të Zëvendës Presidentit të Parlamentit Evropian, Rainer Wieland;

Shumë i nderuari “Qytetar nderi” i Drenasit, Zotëri Wieland,
Prej sot, historisë së komunës së Drenasit, ju i jeni bashkuar si qytetar nderi.

Faleminderit Z. Reiner për miqësinë dhe angazhimin Tuaj për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Sot, unë, i dashur Reiner, jam qytetari më krenar i Drenasit, duke ju pasur edhe Juve qytetar nderi.

Jam i nderuar për miqësinë tonë dhjetëra vjeçare, jam krenar se besimi ynë i përbashkët, është bërë realitet. Kosova është shtet, Drenasi është në rrugë të mbarë, të bëhet qytet në të cilin qytetarët duan të jetojnë, sepse, respektohet ligji, zbatohen strategjitë nacionale, kemi ofruar perspektivë për investitorët.

  1. Wieland,
    Ju e dini se djepi i lirisë tonë është Drenica, aty ku lindi, u rrit dhe korri fitore historike, Ushtria jonë çlirimtare. Ne këtë nuk do të arrinim kurrë pa ndihmën Tuaj. Prandaj sot, Z. Wieland, me krenari dhe respekt të thellë, nderojmë punën Tuaj, angazhimin dhe përkushtimin për Kosovën dhe Drenicën.

Në emër të baorëve të Komunës sonë, shpreh falenderimin e thellë, për ndihmesën e jashtëzakonshme të qeverisë Suaj, të Landeve dhe bashkive, të njerëzve të zakonshëm dhe të politikës, për mbështetjen e fuqishme që i dhatë popullit tonë në vitet më të vështira. Rreth gjysmë milionë banorë të Kosovës kanë gjetur tek ju shtëpinë e tyre të dytë, kanë prekur bujarinë dhe mikëpritjen dhe këtë nuk do e harrojmë kurrë.

Ju i takoni një partie të fuqishme evropiane, një grupi dominant të partive të djathta në Parlamentin ku ju jeni nënkryetar, partive EPP, dua të theksoj vlerësimin tim të thellë, të komunës time, të shtetit tim dhe të partisë që i takoj, se ju nga sot, si qytetar nderi i Drenasit, keni nderuar miqësinë tonë, Asamblenë e Komunës së Drenasit, Kosovën edhe kombin shqiptar.

I nderuari miku im Wieland,

tek shteti gjerman, në veçanti tek Kancelarja Federale Zonja Merkel, kemi gjetur përkrahje, mbështetje dhe miqësi të sinqertë në rrugën tonë evropiane dhe procesin integrues euro-atllantik.

Gjermania , si asnjë shtet tjetër në botë, dha ndihma financiare të drejtpërdrejta për rimëkëmbjen e Kosovës. Këtu nuk dua të përmend, qindra milion euro të bashkëatdhetarëve tanë,që punojnë prej dekadash apo vitet e fundit në shtetin tuaj, të cilët, përmes kontributit të tyre ndihmojnë në jetesën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

I nnderuari Z. Wieland, vendi ynë Kosova , po kalon sot një periudhë ringritje, që shpesh herë ka në vete edhe padurimin. Ne jemi një popull thellësisht evropian, me gjuhën tonë indoevropiane, më traditën, me idetë dhe vizionin tonë drejt Europës.

Duke qenë një popull i tillë, besnik deri në fund për idealet e lirisë, barazisë dhe të demokracisë, ne presim që trualli ynë i përbashkët evropian të hapë rrugët e mëtejshme, përmes liberalizimit të vizave.

Unë kam besim të madh tej ju Z. Wieland, se ju, CDU, Angela Merkel dhe Gjermania, do të bëni më të mirën e mundshme për ne, qytetarët e Republikës së Kosovës.

Unë, në emër të qytetarëve të komunës së Drenasit, por edhe të Kosovës, ju lus ta përdorni tërë autoritetin Tuaj dhe ndikimin që qytetarët tanë të mos jetojnë geto, në izolim.

  1. Wieland, mos ma merrni për të keq por sinqerisht ju lus, bëni aq sa mundeni që t’i bashkohemi vlerave në të cilat jetojnë dhe i ndërtojnë, qytetarët gjermanë dhe qytetarët e Bashkimit Evropian.

Ne do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin,
Ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë sundimin e ligjit,
Ne jemi duke ngritur cilësinë e arsimit dhe arsimin profesional,
Po e ngrisim prodhimin vendor,
Ne po shtojmë konkurrueshmërinë e kompanive tona,
Ne jemi duke ruajtur ambientin,
Ne po përpiqemi ta ngrisim cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.
Edhe ne e dimë se mundemi më shumë, por, me rastin e liberalizimit të vizave, ju përkrahni rininë tonë për studime, firmat tona të bëhen më të afta, vajzat tona të barazohen me shoqet e tyre në Bashkimin Evropian, pra, liberalizimi i vizave, do të na lehtësonte të pranojmë më shpejtë vlerat integruese.

Kancelarja Merkel, në takimin e së mërkurës, në takim me Presidentin Thaçi, ka kërkuar luftimin e korrupsionit dhe uljen e papunësisë.

Pikërisht këtë jemi duke e bërë edhe në komunën e Drenasit, andaj, jam krenar se mesazhi i Zonjës Merkel, në komunën tonë, po bëhet që nga dita ime e parë që populli më besoi drejtimin e Komunës.

  1. Wieland,
    Ne do të shtojmë edhe më shumë punën, në nivelin lokal, duke i kontribuar zbatimit të ligjit që jo vetëm qytetarët tanë në Drenas, por edhe Ju, në Parlamentin Evropian, të jeni krenar me punën që bëhet në komunën tonë, që nga sot edhe jeni zyrtarisht “Qytetar nderi”.

Ne kemi qenë gjithmonë krenar me miqësinë Tuaj, ashtu edhe do të mbetet.
Z. Rainer, miku im,

Qofshi të nderuar Ju, familja Juaj, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, që duhet ta hapë pakëz më shumë derën, për neve, që përjetuam dhimbjet dhe torturën më çnjerëzore, vetëm e vetëm se deshëm lirinë dhe pavarësinë tonë.

Kjo ditë e shënuar, le të jetë edhe kujtesë e një falënderimi të përjetshëm për Juve z. Wieland, një qytetari shembull për synimet tona, njerëzore e shtetërore, procesin integrues dhe vlerat euro-atlantike.

Ju faleminderit Z. Reiner Wieland!

Urime titulli “Qytetar nderi” i komunës së Drenasit!

Gëzuar!

- Advertisement -

MË TË FUNDIT