Me organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Komunën e Drenasit është shënuar “Java Evropiane e Lëvizshmërisë pa Makina”.
Në këtë aktivitet me biçikleta kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, nënkryetari i Komunës Nazmi Hasi, Drejtoresha e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit Flutura Avdiu, Drejtoresha e Administratës Kimete Qorri, zyrtarë komunalë, drejtorë dhe nxënës të shkollave dhe qendrave të edukimit parashkollor dhe të shkollave fillore të Drenasit.

Shënimi i javës evropiane të lëvizshmërisë pa makina është organizuar me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve të Komunës së Drenasit për të përdorur metoda të gjelbra të udhëtimit, që të paktën për një ditë mos të përdorin makinat e tyre, të cilat emetojnë gazra të dëmshme.

Aktiviteti ka filluar nga Komuna dhe është vazhduar në sheshin “Fehmi Lladrovci” me parakalim me biçikleta nga Komuna në rrugën “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, “Xhevat Demaku”, “Ilaz Kodra”, “Shaban Shala” dhe ka përfunduar në sheshin “Fehmi Lladrovci”, së bashku me kryetarin dhe nënkryetarin e Komunës, drejtorë të drejtorive si dhe nxënësit e shkollave fillore “Rasim Kiqina” dhe “Arif Shala”, Kopshti i fëmijëve “Ardhmëria” për të përcjellë mesazhin tek qytetarët për të përdoruar metoda të gjelbra të udhëtimit.

Nxënësit kanë prezantuar në shesh piktura me mesazhe vetëdijësuese me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë për mbrojtjen e mjedisit përderisa fëmijët e QEAP “Ardhmëria” kanë bashkëbiseduar me nënkryetarin e komunës rreth gjendjes së mjedisit në Komunën e Drenasit dhe se si e shohin qytetin tonë në të ardhmen.

Me këtë rast u shpërndanë certifikata për institucionet pjesëmarrëse në këtë aktivitet nga Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit. /Drenica Press/

Image may contain: one or more people, sky, bicycle, tree and outdoor

Image may contain: 3 people, people standing and outdoor