Imami i njohur nga Drenica, Mulla Osman Musliu një një intervistë për Kosova Post flet për zhvillimet e fundit në vend e në veçanti në Komunën e Drenasit pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai nuk përcaktohet për të preferuarin e tij për të parin e Drenasit, por thotë se Drenica nuk është pronë e askujt. Si një njeri që gjithmonë i ka qëndruar pranë popullit të Kosovës, Mulla Osmani thotë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të forta në Ballkan që do vendosin paqen dhe të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
Kosova Post: Në Drenas ju jeni person i respektuar nga qytetarët, çfarë i keni dhuruar popullatës së kësaj ane për ta gëzuar këtë respekt?
Osman Musliu: Do të ju përgjigjem shkurt dhe qartë pa politikë. Unë jam një hoxhë në mesin e shumë hoxhallarëve të nderuar në Kosovë, mirëpo unë jam paksa më i veçantë apo i çuditshëm në opinionin publik shqiptar. Përveç se njihem si njeri i cili nuk ka frikë ta thotë të vërtetën ajo që besoj se ka ndikuar më së shumti në këtë aspekt ka qenë se nuk e kam keqpërdorë emrin e Zotit, nuk kam rrejt në emër të Zotit, nuk kam spiunuar për qarqe të caktuara në kohëra të caktuara, nuk i kam shërbyer armikut kombëtarë në dëm të vendit dhe popullit, e as armikut fetarë në dëm të fesë dhe besimtarëve… Po ashtu asnjëherë nuk jam marrë me punë të mëdha, nuk e kam çliruar Drenasin e as Kosovën por çdoherë kam qenë punëtor dhe shërbyes i këtij vendi dhe popullit drejtë arritjes së lirisë kombëtare e fetare. Falënderoj Zotin që kjo ditë erdhi pasi që e di se çfarë tmerri kemi përjetuar për një shekull rresht. Gjithmonë kam qenë njeri i cili është gjendur aty ku ka qenë populli dhe kam qenë njëri prej tyre. Gjithë jeta më ka kaluar duke u munduar t’i zgjidh problemet e popullit tim dhe të ua kthej buzëqeshjen në fytyrat e tyre dhe familjeve të tyre. Për këtë arsye populli më respekton për disa gjëra të vogla që kam bërë në shërbim të tyre dhe vendit tim, sepse ky popull është lodhur nga zhurma e madhe që bëjnë disa njerëz qoftë të fesë apo politikes.
Kosova Post: Jeni njohës edhe i rrethanave politike në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për lidershipin aktual, a janë duke udhëhequr politikën në favor të shtetit dhe qytetarëve, apo kanë dështuar në këtë kauzë?
Osman Musliu: Nuk mundem të them se jam njohës i mirë i rrethanave politike e as ndonjë ekspert i kësaj lëmie për arsye se politika nuk është profesion as specifikë e njohurive të mia por thjeshtë jam një qytetar i thjeshtë që e përcjellë debatin publik që zhvillohet në vend. Por, mund të them se jam një viktimë e politikës si shumica e shqiptarëve të sinqertë që e duan në Kosovë një politikë të mirëfilltë e cila popullin shqiptar do ta drejtoj kah një rrugë e mbarë drejtë të ardhmes më të mirë. Shqipëria dhe Kosova asnjëherë nuk kanë qenë “një vejushë pa burrë” nëse mund të them ashtu që të tjerët të realizojnë qëllimet e tyre. Gjithmonë kanë lindë burra edhe të pushkës edhe të mendjes që i kanë dalë zot ushtarakisht edhe politikisht besa edhe fetarisht këtij vendi e këtij populli. Prandaj kam bindjen se as Kosova as Shqipëria nuk kanë për të dështuar. Përkundrazi janë dy shtete të forta në Ballkan që do vendosin paqen dhe të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian si dy shtete me dinjitet. Individët që janë marrë me politikë për përfitime personale jam shumë i sigurtë se do të dështojnë dhe do bëhen horë bashkë me familjet e tyre dhe përkrahësit e tyre. Mirëpo Kosova dhe Shqipëria besoj se do ta vazhdojnë rrugën me njerëz të ndershëm dhe politika të mençura. Në përbërjen e qeverisjes aktuale ka burra të mirë që kanë dhënë gjithçka për Kosovën dhe shqiptarinë, por për fat të keq ka edhe shumë dilingjinjë siç thotë populli që si mban mend historia shqiptare. Prandaj ju gazetarët duhet t’i hulumtoni dhe t’i demaskoni vetëm dilingjinjët që mirren me politikë e fe dhe të nxirrni fytyrën e tyre para popullit.
Kosova Post: Aktualisht Drenasi është në fushatë për ta zgjedhur kryetarin që do t’i udhëheqë, a do ta kenë vështirë qytetarët të vendosin për më të mirin. Nga gjashtë kandidatët cili do të meritonte udhëheqjen e Drenasit sipas mendimit tuaj?
Osman Musliu: Unë jam i lirë që të mendoj dhe votoj, por nuk kam të drejtë mendimin tim të ja imponoj popullatës së Drenicës sepse populli gjithmonë është më i mençur sesa individi e sidomos disa që mendojnë se janë shumë të mençur e popullin e shohin nga lartë. Populli mund nganjëherë edhe t’i besoj dikujt mirëpo din edhe të dënoj nëse nuk i realizohen premtimet e bëra. Më i miri shpresoj që do të vijë në krye të institucioneve atëherë kur krijohet terreni politik që të shihen vlerat reale të individit, jo kur krijohet mjegull dhe rrëmujë ngase “ujku don mjegull” thotë populli.
Kosova Post: Me traditë kjo komunë i ka takuar PDK-së, ndërsa këto zgjedhje a përbëjnë rrezik që PDK ta humb Drenasin dhe a besoni në fitoren e Ramiz Lladrovcit në Drenas, apo për të parin e Drenasit do të shkojnë në balotazh Lladrovci nga PDK dhe Isa Xhemaljaj nga Nisma?
Nuk jam prej atyre që për interesa personale ndonjë individ e ngrisin në qiell e tjetrin e bëj më të zi se dreqi. Jam shumë i interesuar që të gjithë kandidatët për kundërshtarin e vet të flasin me fakte dhe argumente dhe le të fiton ai që e ka mbrojtur fytyrën e vet në të kaluarën dhe interesin e popullit dhe jo ai që nuk ka fytyrë, ne si votues naiv të e hajmë hakun e atij me fytyrë dhe ta votojmë të paftyrin apo dyfytyrëshin. Unë nëse kam fakte për dikë i nxjerr publikisht në kohën e duhur, as para kohe e as pas kohe dhe jo pas shpine por ia them në fytyrë siç e dinë i gjithë Drenasi e Drenica besa edhe më gjerë. As Drenasi nuk është pronë e ndonjë individi apo partie politike, ajo që vendos janë faktet dhe dëshmitë se kush duhet të na qeverisë, jo mbushja e xhepave apo bërja si kapadai i popullit e jo shërbëtorë i tij.
Kosova Post: A keni ndonjë porosi apo mesazh për votuesit – qytetarët e Drenasit?
Osman Musliu: Po si hoxhë ju them të gjithëve: mos u bëni pjesë e ndonjë kacafytjeje që dëshirojnë munafikët dhe armiqtë, mos u bëni pjesë e pazareve ku shitet dhe blihet vota, mos i merrni kampanjat e kandidatëve me armiqësi dhe emocione. Vota është vullneti i popullit dhe si e tillë edhe në Islam edhe në Demokraci është e shenjtë dhe të bësh pazar me votë është njëjtë sikur ta shitësh nderin. Dëgjojini argumentet dhe faktet që prezantohen publikisht nga të gjithë kandidatët dhe votoni për atë që ju bindin faktet jo për atë që ju bindin gjepat apo premtimet./Intervistoi: Egzona Krasniqi