Drenas: Shpërndahen kontejnerë për mbeturina në Çikatovë, në radhë edhe Baica e Llapushniku

Vazhdon zgjerimi i shërbimit për menaxhim të mbeturinave në Komunën e Drenasit

Projekti i zgjerimit të shërbimit për menaxhim të mbeturinave ka vazhduar në fshatin Çikatovë e Vjetër ku janë shpërndarë 140 kontejnerë për ekonomi familjare, ditëve në vijim do të fillon shpërndarja edhe në fshatin Llapushnik dhe Baicë.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në bashkëpunim me ndërmarrjen “Pastrimi” dhe organizatën CEDE, kanë bërë shpërndarjen e kontejnerëve në fshatin Çikatovë e Vjetër dhe kanë pranuar këtë shërbim 140 ekonomi familjare, 180 sa ka gjithsejtë ky vendbanim.

Projekti për zgjerimin e shërbimit për menaxhim të mbeturinave gjatë këtij muaji do të vazhdoj edhe në fshatin Llapushnik dhe Baicë, ku komuna ka siguruar kontejnerët për të gjitha ekonomitë familjare që kanë hy në shërbim si dhe do të behët riorganizimi në disa fshatra që janë në shërbim, por që disa qytetarë nuk e kanë pranuar më kohë kontejnerët. Paraprakisht, DSHPE ka bërë largimin e deponive ilegale në fshatrat ku është bërë zgjerimi i shërbimit për menaxhim të mbeturinave .

Pas mbulimit edhe të këtyre tri fshatrave, Komuna e Drenasit zgjerohet me këtë shërbim në 70 për qind të mbulueshmerisë në menaxhim të mbeturinave në gjithë territorin, ndërsa në vitin 2016 ky shërbim do të jetë 100 për qind.

Kujtojmë që këtë projekt e ka mbështet dhe përkrah për tri vite rresht dhe vazhdon të përkrahë, organizata gjermane GIZ, dhe në kuadër të krijimit të një ambienti sa më të pastër për Komunën e Drenasit është duke u implementuar edhe projekti për riorganizimin e shërbimit në qendër të qytetit si dhe është finalizuar Draft-Plani për Menaxhimin e Mbeturinave. Për vitin 2016, DSHPE ka planifikuar buxhet për këtë qëllim vlerën prej 40 mijë eurove me ç’ka synon të bëjë mbulueshmërinë në gjithë territorin e Komunës në shërbim.

 

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT