Drenas, mbahet tryeza për Kornizës Afatmesme Buxhetore

Komuna e Drenasit, ka mbajtur tryezë të përbashkët mes gjithë akterëve për të diskutuar draft dokumentin e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2017-2019. Në këtë tryezë merrnin pjesë, Kryetari i Komunës, Nexhat Demaku, i shoqëruar nga gjithë anëtaret e Bordit të Drejtorëve, Kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj, me anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa, përfaqësues të OSBE-së dhe OJQ-të e Drenasit.

Me këtë rast kryetari i Komunës, Nexhat Demaku, ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe ka falënderuar që i janë përgjigjur ftesës së Komunës për të kontribuar në dokumentin e buxhetit për vitet në vazhdim.

Drejtori i Financave, Hamdi Krasniqi, ka shpjeguar procedurën e planifikimit të këtij dokumenti deri tek finalizimi i tij. “Për faktin se me buxhet kërkohet të përmbushen disa nga principet e tij (çastësia e buxhetit, principi i plotë i buxhetit, ai i ekuilibrit dhe transparencës) Komuna menjëherë pas pranimit të Qarkores Buxhetore 2017/01, e lëshuar nga ministri i Financave, të nesërmen kemi bërë ftesë publike për qytetarët e Komunës, OJQ-të, profesionistët dhe të gjithë të interesuarit që të vijnë në Komunë për ta ndihmuar planifikimin e buxhetit”, ka treguar drejtori Krasniqi.

Krahas këtyre angazhimeve të përmendura nga drejtori, është përgatitur një draft fillestar i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2017-2019 e cila është diskutuar në këtë tryezë nga e cila doli qëndrimi se të gjitha diskutimet të inkorporohen në draftin fillestar të KAB-it dhe me datën 20.06.2016 do të vendoset nga Komiteti për Politikë e Financa, forma e draft-KAB-it për anëtarët e Kuvendit të Komunës. Pasi që KAB-i komunal duhet të miratohet më se largu deri më 30 qershor të këtij viti, do të ketë kohë të mjaftueshme që edhe më tutje të kontribuohet nga të gjithë te interesuarit në këtë dokument bazik më qëllim që i njëjti të jetë i miratuar në një shkallë sa me të lartë të avancimit.

Pas të gjitha këtyre fazave dhe diskutimeve të tryezës, drejtori Krasniqi ka thënë se këto aktivitete të zhvilluara bëjnë që të përmbushet plotësisht principi i transparencës së buxhetit komunal, gjithmonë duke lenë hapësirë që edhe në fazat e mëvonshme, kur të fillohet me buxhetin do të organizohen në vazhdimësi dëgjime buxhetore deri në miratimin e buxhetit 30 shtator.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT