Në një takim që u mbajt në mes Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, Komunës së Drenasit si dhe familjarëve të 19 të zhdukurve të identifikuar nga Çikatova e Vjetër e Drenasit,u caktua data e rivarrimit të mbetjeve mortore.
Data e rivarrimit të tyre u caktua 17 prilli, në ditën e përvjetorit të tyre nga forcat kriminale serbe më 1999.
Në njoftimin e Komunës së Drenasit thuhet “Sot u takuan në Drenas Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, z. Prenk Gjetaj dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku me familjarë të 19 trupave të identifikuar nga Çikatova e Vjetër e Drenasit, të gjetur në Rudnicë të Rashkës (Serbi).
Ata vendosën që këta trupa të rivarrosen në varrezat e fshatit më 17 prill, në përvjetorin e ekzekutimit të tyre nga forcat kriminele serbe më 1999. Bashkërisht u pajtuan që atë ditë të mbahet një Akademi Përkujtimore në nderim të këtyre familjarëve të vrarë, kur edhe do të mbahet ceremonia e rivarrimit në orën 12:00.
Ndërsa mbetjet kockore e Behram Nikës i gjetur bashkë me këta qytetarë të Çikatovës së Vjetër do të rivarrosen në fshatin Shkabë (ish Gllanasellë) në orën 14:00 po të njëjtën ditë”.
- Advertisement -