Drenas, banorët e Llapushnikut përqahen për shkak të varrezave katolike

Banorët e fshatit Llapushnik të Drenasit po e kundërshtojnë projektin që një parcelë prej dy hektarë e gjysmë të shërbejë për varreza katolike, e ku në të ardhmen mund të ndërtohet një kishë. Një gjë të tillë po e kundërshtojnë banorët e besimit mysliman të fshatit.

Këshilltari komunal në Drenas, nga radhët e PDK-së, Bujar Thaçi, pohon se komuna mori vendim të jashtëligjshëm pa e marrë pëlqimin e këshilltarëve të tjerë në kuvend, raporton KTV.

Zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, thotë se i kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore pasi që toka ka qenë nën menaxhimin e AKP-së dhe me kërkesë të komunës së Drenasit ajo është shpronësuar.

Don Fatmir Koliqi, nga Ipeshkvia e Kosovës, nëpërmjet telefonit ka konfirmuar se ajo hapësirë do të shfrytëzohet për varreza të komunitetit katolik nga Llapushniku dhe nuk përjashtohet mundësia që aty të ndërtohet edhe kisha për nevoja të komunitetit.

Llapushniku ka gjithsej pesëmijë banorë, ndërsa pas vitit 2000 rreth 20 familje janë konvertuar nga myslimanë në katolikë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT