Drenas, a ishte ushtari i UÇK-së i vrarë më parë dëshmitar i Gjykatës së Hagës?

Trupi i pajetë i ish-ushtarit të UÇK-së, Bedri Curri, tash e disa ditë po pushon në varrezat e fshatit. Për familjen Curri nga fshati Korreticë e Epërme e Drenasit, mbetet mister vrasja e djalit të tyre. Ata thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion se si ka ndodhur kjo vrasje, transmeton KTV.

Derisa nuk pranojnë të flasin para kamerës, prapa saj thonë se nuk kanë kurrfarë informate nëse Bedri Curri do të ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale.

Edhe bashkëluftëtarët e tij kanë thënë se nuk janë në dijeni nëse Bedri Curri ishte i përfshirë në një proces të tillë. I ndjeri Bedri Curri kishte më shumë se një vit që ishte kthyer në Kosovë dhe po tentonte t’i rregullonte dokumentet për t’u pajisur me statusin e invalidit të luftës së UÇK-së.

Bedri Curri është gjetur i vrarë pasditen e së enjtes së kaluar në mal, afër fshatit Korreticë e Epërme të Drenasit. Policia e Kosovës ka thënë se po bëhen hetime intensive, por nuk ka dhënë asnjë detaj.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT