Drejt Valbonës me traget, një magji udhëtimi

 

Të udhëtosh drejt Valbonës nëpërmjet liqenit të Komanit tani në verë, është një udhëtim përrallor. Është një park natyror më I veçantë në vendin tonë. Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm.
Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë.

Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta e periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Nga Mbaskollat dhe deri në Shoshan është e mbrojtur në mënyrë natyrore. Burimet e saj gjenden në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër.Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës.

Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.

Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet valb1shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas, por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Për të shkuar në Valbonë nga Tirana ka dy rrugë: një nga Kukësi, Gjakovë-Bajram Curri dhe tjetra me traget nga Komani. Nga Lugina ka një peisazh shumë të bukur. Pamjet fantastike të shpateve malorë që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit janë të paharrueshme. Fshatrat e

vegjël në të dyja anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në

brendësi të masiveve malorë. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigande të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat për dy orë e gjysëm.

Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës shkohet me makina private ose me  furgonë. Valbona ndodhet 25 kilometra larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, valb3Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë udhëtimi kalon nëpërmjet një luginë të ngushtë, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ahe e bredh, ndërsa rruga është e shtruar me çakëll. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit i

lënë vendin njëra-tjetrës për t’u zëvendësuar nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla guri 100 e 200-vjeçare, madje dhe më të vjetra se kaq. Gati në mes të fshatit, në krahun e majtë të rrjedhës së Valbonës, ndodhet një ujëvarë disa dhjetra metra e lartë që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi që mezi shquhet mes pyllit të dendur, ndodhet shpella e Bajram Currit. Gjatë gjithë udhëtimit të

shoqërojnë gjithnjë ujërat e kthjellëta të Valbonës që burojnë nga shkrirja e borës në masivin malorë të Alpeve. Një tjetër vend për t’u ndalur është dhe Quku i Dunishës.  Këtu ka disa hotele alpine me komoditete bashkëkohore. Klima e luginës është mjaft e freskët dhe i nxehti i verës nuk ekziston fare.

Fshati Valbonë është gati 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një zallishte të krijuar prej lumit Valbona. Aktualisht fshati Valbonë ka afro 30 shtëpi, kryesisht kulla të vjetra dy valb2dhe trekatëshe me mure të trashë guri e çati karakteristike alpine me dërrasa druri. Në kullat karakteristike të tërheqin vëmendjen dritaret shumë të vogla dhe frëngjitë e ndërtuara në çdo drejtim për t’u mbrojtur. Në qëndër të fshatit ndodhet një lokal që shërben në natyrë kryesisht, mish të pjekur në hell dhe meze e bylmet të zonës. Në Valbonë nuk ka hotel të mirfilltë, por disa

shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Nëpërmjet bllokut të lartë malor të Jezercës në veri, Zhaborreve dhe Grykave të Hapta në jug, formohet një govatë tipike akullnajore. Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës e Rrethit të Bardhë shikon borë të përhershme dhe ngjitja në to, do të ishte një sfidë për çdo alpinist profesionist. Ujëvara e Rragamit që ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, sipër Valbonës, është një tjetër mrekulli e natyrës alpine që nuk duhet lënë

pa vizituar. Valbona gjatë 4-5 muajve të dimrit është krejtësisht e izoluar nga bora kështu që në këtë kohë është e pamundur të vizitohet tërësisht. Stina e verës atje është një mrekulli natyrore. Është vendi më I përshtatshëm për të larguar të nxetin e verës./ATSH

- Advertisement -

MË TË FUNDIT