Ministri i MPJ-së të Serbisë, Ivica Daçiq, për agjencinë e lajmeve “FonNet”,ka deklaruar sot se Serbinë e pret një betejë e vështirë për të ndalur anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kjo deklaratë e Daçiqit për mediet serbe vjen si përgjigje ndaj paralajmërimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit, për dërgimin e kërkesës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.

“Nuk e kundërshtojmë të drejtën dhe nevojën që përfaqësuesit e autoriteteve në Prishtinë të marrin pjesë në takime të ndryshme rajonale, por e kundërshtojmë mundësinë që përmes këtyre anëtarësimeve të prejudikohet statusi i Kosovës”, ka thënë Daçiq.

Daçiq thotë se Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të caktuara, me ç’rast do të nënkuptohej edhe prejudikimi i statusit të saj si shtet i pavarur, duke theksuar se në mesin e këtyre organizatave janë Këshilli i Evropës, Kombet e Bashkuara dhe OSCE.

Ai ka thënë se do t’i kushtohet vëmendje e posaçme marrëdhënieve tradicionalisht miqësore me vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, duke shtuar se shumica e këtyre vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por se në ato po bëhet “një trysni e madhe” që ta bëjnë atë./Danas/