Musli Gucati i cili është djali i ish kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit, i cili po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 25 shtatori i vitit të kaluar ka thënë se me babain e tyre kontaktojnë pothuajse çdo ditë përmes telefonit ose platformës Zoom.

Gucati thotë se bisedat në Zoom mund të zgjasin deri në 45 minuta, por që shpenzimet e telefonit duhet që t’i mbulojnë vet të paraburgosurit.

“Kemi realizuar biseda të shumta me babain, përmes Zoomit diku deri në 45 minuta mund të flasim. Me sa e di nuk kanë qasje në internet, por mund të na telefonojnë përmes telefonit por shpenzimet e telefonit i mbulojnë vet të paraburgosurit”, është shprehur Gucati, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai thotë se kushtet e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Qendrën e Paraburgimit në Hagë janë të mira dhe se kanë hapësira sportive e për libra ndërsa bën të ditur se ata mund të qëndrojnë edhe së bashku, por që dhomat e gjumit i kanë të ndara.

“Ata kanë mundësi të rrinë së bashku dhe kalojnë mirë pasi që janë njerëzit kryesor të UÇK-së. Në dhoma janë të vendosur të vetëm dhe secili prej tyre e ka hapësirën e vet të gjumit”, ka thënë ai.

Por, sa i përket refuzimit të vizave për familjarët e Gucatit që ta realizojnë një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, ai thotë se Qeveria e Kosovës është dashur që t’i dërgojë notë proteste autoriteteve holandeze.

“Sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, është munduar ta bëjë punën e saj, por më ka habitë fakti se si Qeveria e Kosovës dhe MPJ-ja nuk kanë dërguar notë proteste ndaj autoriteteve holandeze për faktin se qytetarëve të tyre u është refuzuar viza për të shkuar për ta parë familjarin e tyre. Albin Kurti është i pari i shtetit dhe i takon që t’i mbrojë qytetarët e tij dhe kjo do të na ndihmonte në këtë çështje”, është shprehur Gucati në “Info Magazine” në Klan Kosova.