Dita e Gjykimit, nis seanca maratonë në CAS

Dita e madhe e gjykimit për ndeshjen e 14 tetorit, mes Serbisë dhe Shqipërisë nisi që në orët e para të mëngjesit, me delegacionin shqiptar që ju drejtua Lozanës për të kërkuar të drejtën e munguar nga organet e Uefa-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Para seancës dëgjimore, që filloi në orën 08:00, kapiteni Lorik Cana dhe trajneri Gianni de Biasi kryen dhe konsultime te fundit me trupën e avokatëve të kryesuar nga italiani Antonio Rigozzi, përpara se t’i drejtoheshin panelit të gjykatës, ku i pari në radhë ishte Cana dhe më pas trajneri De Biasi. Pas tyre në radhë janë Drejtues të Federatës Serbe duke nisur nga sekretari i përgjithshëm Zoran Lakovic, shefi i sigurisë në Federatën Serbe Milivoj Mirkov si dhe shefi i personelit të sigurisë te stjuartëve në stadiumin Partizani të Beogradit, dhe kapiteni i Serbisë Branislav Ivanovic.
Më pas të thërritur nga pala shqiptare, do të flasin para gjykatës ekspertë të të mirënjohur dhe nga më të zotët  në arenën ndërkombëtare, Profesor Sebastien Besson, i specializuar në cështjet e arbitrazhit, profesor në universitetin e Neuchatel që konsiderohet si lideri i brezit të ardhshëm të jurisprudencës zvicerane, dhe Profesor Doktor Alain Macaluso, një tjetër emër i madh i së drejtës ndërkombëtare, lektor në universitetin e Lozanës. Pas tyre para panelit do të paraqiten me pretendimet përfundimtare të dyja palët, ndërsa  Axhenda e Gjykatës së Arbtitrazhit Sportiv përcakton një seancë të gjatë që përfundon pas orës 18.00. Në delegacionin shqiptar, duke nisur që nga ekspertët, Presidenti i FSHF, Duka dhe gjithë stafi kanë shfaqur besim të madh për të fituar cështjen në Gjykatën e Lozanës edhe pse nuk pritet që organi më i lartë i drejtësisë sportive të marrë një vendim që këtë të premte.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT