Disa Komandantë po dëmtojnë mijëra Veteranë

Shoqata e Familjeve të Dëshmorë, invalidëve dhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së, kanë reaguar ndaj vonesave të publikimit të të gjitha listave paraprake për këto kategori.

Ata fajësojnë disa komandantë që nuk po nënshkruajnë listat.

Në reagimin e tyre thuhet se kanë vëzhguar me kujdes procesin e verifikimit dhe të ankesave dhe presin që sa më parë të bëhet publikimi i të gjitha listave paraprake.
“Komandantët të cilët ende nuk i kanë nënshkruar listat paraprake dhe e kanë vonuar publikimin, duhet të kenë parasysh, se me veprimin e tyre po i dëmtojnë në radhë të parë mijëra veteranë me kushte ekstrem të rënda ekonomike-sociale. Ne i apelojmë të gjithë komandantëve që ende nuk i kanë kryer detyrat e tyre në Komision, të i kryejnë ato sa më shpejtë, në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më parë. Këtë e kanë obligim në radhë të parë moral, ndaj ish ushtarëve të tyre. Duhet pasur parasysh se ligji është miratuar në prill 2014 dhe i njëjti nuk është vënë në zbatim, për shkak të neglizhencës së atyre që kanë përgjegjësinë e verifikimit dhe publikimit të listave. Ky proces kaq i nevojshëm për veteranët e luftës, nuk duhet të politizohet nga askush, sidomos nga ato parti që e kanë votuar vet këtë ligj në Kuvend, sepse të dëmtuar janë vetëm veteranët e luftës”, thuhet në komunikatë.

Në ndërkohë, pjesëtarët nga zonat ku janë publikuar listat, i kanë inkurajuar që të dorëzojnë me kohë ankesat e tyre në Komision.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT