Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të martën në takim komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe komisioneri Avramopoulos, kanë biseduar për proceset integruese evropiane të Kosovës si dhe çështje të tjera aktuale në Kosovë.
Kryeministri theksoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke e njoftuar me agjendën e prioriteteve të Programit të Qeverisë, që është i orientuar për zhvillimin ekonomik, punësimin, uljen e varfërisë, forcimin e shtetit ligjor, integrimet evropiane si dhe reformat që po ndërmerren në arsim e shëndetësi, si pjesë e zhvillimit të vendit.
Kryeministri Mustafa theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, duke shprehur nevojën e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, vlerësoi progresin  në Kosovë duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Komisionit Evropian për Kosovën.
Kryeministri Mustafa dhe komisioneri Avramopulos biseduan edhe për faktin se tashmë është vendosur nën kontroll fluksi i emigracionit, dhe për masat që ka marrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e të kthyerve, duke veçuar fëmijët që kanë braktisur shkollat.
Në këtë kontekst, kryeministri po ashtu veçoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal të kosovarëve në vendet e BE-së.