Në aksidentin në Prishtinë që ka ndodhur, ku treni i linjës Prishtinë-Pejë, ka goditur një veturë derisa po kalonte nëpër shina dhe pasojë e goditjes katër persona janë lënduar.

Por, një gjë e pazakontë ka ndodhur pas aksidentit, ku disa persona kanë gënjyer Policinë se janë nga Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore. Ata kanë zhdukur provat nga vendi i ngjarjes.

Lajmin për Gazetën Express e konfirmoi kryesuesi i KHAIAH-së, Mirsim Beqiri, i cili tha se kur shkoi në vendin e ngjarjes nuk gjeti asgjë, përveç veturës së dëmtuar.

“Treni e ka një çip që e regjistron lëvizjen e trenit, shpejtësinë dhe të gjitha gjërat prej momentit që u nis. Ndërsa në momentin që treni largohet nga vendi i ngjarjes, ti nuk ki mundësi me marrë atë çip për me dekodu”, tha Beqiri.

Ai shtoi se nuk kanë arritur t’i marrin as analizat e shoferëve për alkool, shkruan Gazeta Express.

“Dekodimi i tij bëhet me laboratorë special por ne kemi bashkëpunim edhe me Kroaci, që në rast nevojë i dërgojmë edhe atje. Kështu që në këtë rast, ajo është largu, kjo e para, ndërsa e dyta, nuk kemi mujt me marrë as analizat e alkoolit e as drogës, të shoferave, kurgjo nuk kemi gjet”, shtoi Beqiri.

Por, kur shkuan në vendin e ngjarjes thotë se nuk kanë gjetur asgjë, përveç Policisë. Ai thotë se Prokuroria është njoftuar për rastin.

“Kur kemi shkuar në vend të ngjarjes e kemi gjet vetëm policinë dhe veturën e prishur. Policia tha që dikush prej hekurudhave ka ardhë edhe ju ka thonë që na jemi hetuesit dhe nuk ka nevojë me ardhë kërkush. Në fakt unë kur isha rrugës i thirra Policinë dhe ju thash mos i largoni pa mbërri na. Por tash ata e kanë rrejt Policinë, a qa po di unë. E kemi njoftuar prokurorin, tash ata duhet të merren me rastin se pse janë zhduk provat, pra nuk mundemi me bo hetime”, tha Beqiri.