Dikur shpërndante pica për një restorant, sot britaniku 28-vjeç ka arritur një marrëveshje që kap vlerën e mbi një miliard funteve

Një djalë 28-vjeç nga Britania e Madhe që dikur shpërndante pica për një restorant, ka arritur një marrëveshje me një kompani të veshjeve sportive që kap vlerën e mbi një miliard funteve, shkruan BBC.

Bëhet fjalë për Ben Francis që filloi projektin “Gymshark” në garazhin e shtëpisë së prindërve gjatë vitit 2012, kur ai ishte vetëm 19-vjeç dhe gjatë ditës ndiqte studimet dhe natën punonte për Pizza Hut si shpërndarës picash, transmeton Telegrafi.

Francis gjatë një interviste dhënë për BBC ka thënë se pasuria e tij neto “është e frikshme”, duke refuzuar të zbulojë shifrën e saktë apo detajet e marrëveshjes së arritur që kap vlerën e mbi një miliardë funteve.

Kompania amerikane General Atlantic është aksionare me 21 për qind në biznesin e veshjeve sportive, që selinë ka në Solihull.

E kjo marrëveshje do t’i mundësojë Gymsharkut të zgjerohet sa i përket tregut – në veçanti në Shtetet e Bashkuara atje ku edhe ka shumicën e konsumatorëve.

Francis kishte filluar punën me kompaninë e tij, për shkak se kurrë nuk kishte arritur të gjej veshje sportive që i përshtateshin në trup.

Kështu kërkoi ndihmën e vëllait dhe një grup të shokëve, bleu makinat për qepje dhe printer për t’i printuar imazhet e ndryshme në rroba – dhe filloi fillimisht me prodhimin e rripave për bel për peshëngritësit dhe bluza pa mëngë për stërvitje.

Vëllai dhe shumica e shokëve janë ende pjesë e këtij biznesi, dhe sot numëron 499 punonjës dhe zyra të shumta në Britani të Madhe, Hong Kong dhe në Colorado. Ata kanë fabrika në mbarë botën.

E një pjesë e madhe e suksesit të kompanisë i atribuohet mediave sociale, në të cilat i ka reklamuar produktet dhe numëron miliona ndjekës në Instagram.

“Ishim të parët në këtë biznes, jemi gjithashtu të parët që kemi investuar shumë në reklamat e rrjeteve sociale”, ka thënë Francis.

Megjithatë derisa shumica e bizneseve janë ankuar për rënie të hyrave dhe përgjysmim të stafit për shkak të krizës së coronavirusit, Francis thotë se kjo gjë nuk ka ndikuar te kompania e tij.“Nuk ka qenë një vit edhe aq i keq, pasi që njerëzit kanë bërë blerje online dhe kanë vrapuar në ambiente të hapura ku nuk janë ndjerë edhe aq të rrezikuar nga COVID-19”, ka shtuar i riu britanik.

Ai madje është zotuar se gjatë vitit të ri do të fokusohet në zgjerimin e biznesit edhe në fusha tjera.“Është pasioni im i vërtetë dhe tërë jetën ia kam kushtuar sportit dhe mendoj të zgjeroj gamën e produkteve tona sportive”, ka shtuar 28-vjeçari. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT