Pas binjakëve identikë, nga diabeti preken më shpesh të afërmit e gradës së parë të diabetikëve. Nga ana gjenetike, të afërm të gradës së parë për çdo njeri (edhe për diabetikun) janë: prindërit e tij, vëllezërit dhe motrat, si edhe fëmijët e tij, sepse këta të afërm kanë me diabetikun që diskutohet gjysmën e kromozomeve të njëjtë apo të përbashkët midis tyre. Nga ana gjenetike, të afërmit e gradës së dytë për çdo njeri (edhe për diabetikun) janë: gjyshërit, gjyshet, hallat, tezet, daja dhe xhaxhallarët, nipërit dhe mbesat, persona të cilët kanë të përbashkëta midis tyre 1\4 e kromozomeve. Të afërmit e gradës së dytë të diabetikëve sëmuren nga diabeti në përqindje më të vogël sesa të afërmit e gradës së parë. Nga ana gjenetike, të afërmit e gradës së tretë janë gjithë të afërmit e tjerë. Kështu, p.sh., djali i xhaxhait që, nga ana familjare quhet kushëri i parë, në realitet është i afërm i gradës së tretë.  Të afërmit e gradës së tretë sëmuren nga diabeti i sheqerit në përqindje më të pakët se të afërmit e gradës së dytë. Nga diabeti i sheqerit sëmuren shpesh edhe personat obezë (të dhjamur). Ose nga ata me mbipeshë trupore, ku pesha e tepërt është nga dhjami. Obeziteti (dhjamosja) shkakton më shpesh diabet sheqeri, sepse qelizat dhjamore janë më pak të ndjeshme ndaj veprimit të insulinës që prodhon pankreasi endokrin. Nga diabeti sëmuren më shumë njerëzit që bëjnë jetë sendetare (me pak lëvizje fizike), sepse jeta sedentare nga ana e saj çon në obezitet (dhjamëzim të organizmit). Nga diabeti sëmuren më shpesh njerëzit që bëjnë punë mendore, mbasi sot është përcaktuar se puna e lodhshme mendore, si edhe streset psiko-emocionale negative (që ndikojnë për keq) çojnë në prodhimin me tepricë të hormoneve hiperglicemiantë (kontrainsularë), duke shkaktuar hiperglicemi kronike (të zgjatur) Nga diabeti sëmuren më shpesh njerëzit që vuajnë nga sëmundja e tensionit të lartë të gjakut, hipertensionit arterial esencial. Mekanizmat nëpërmjet të cilave hipertensioni arterial esencial çon më shpesh në diabet sheqeri, janë të shumta dhe komplekse. Nga diabeti i sheqerit sëmuren më tepër gjithashtu njerëzit që vuajnë nga sëmundja e shtimit të yndyrnave në gjak. Duhet thënë se vetë hiperlipidemia i bën rezistencë veprimit të insulinës në qelizat e organizmit, duke çuar në “lodhjen” e qelizave Beta dhe në prodhimin e mangët të insulinës.