Di Biazi pajiset me pasaportë shqiptare një ditë para sfidës me Armeninë

 

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, nesër në orën 11:00 do të dekretojë tranjerin italian të kuqëzinjëve, Xhani De Biazin, me shtetësi shqiptare.
58-vjeçari do të pajiset me pasaportë shqiptare një ditë para ndeshjes me Armeninë, e cila është tepër e rëndësishme për kombëtaren.
De Biazi është bërë shumë i dashur për tifozët shqiptarë, ndërkohë që edhe ai vetë ka treguar se po e bën detyrën e trajnerit me një vullnet të madh. Me këtë gjest, duke marrë nënshtetësinë shqiptare, italiani u jep një leksion të vërtetë të gjithë atyre futbollistëve që kanë hequr dorë nga shtetësia e kombit të tyre dhe tashmë bëjnë pjesë në përfaqësuese të tjera.
Dëshira
“Ah…, e di çfarë do më pëlqente? Që miku im Kryeministër të më jepte nënshtetësinë shqiptare. Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare: Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak”, është shprehur De Biazi tre muaj më parë dhe me sa duket dëshira e tij tashmë është thuajse e realizuar, pasi pritet vetëm dekreti i presidentit të Republikës së Shqipërisë. Këtë deklaratë, italiani e bëri gjatë një interviste për uebsajtin zyrtar të “Tifozëve Kuq e Zi”.
Pasaporta, trajnerit “i rritet rroga”
Ka shumë biznesmenë në Itali që investojnë në Shqipëri edhe për faktin se taksohen shumë më pak se sa në vendin e tyre. Nëse në Itali tatimi mbi fitimin arrin deri në 42% të të ardhurave, në Shqipëri kjo shumë është 15% për ata që kanë rrogën mbi 1.2 milionë lekë të vjetër. Në këtë mënyrë, edhe për De Biazin do të ketë “një rritje rroge” sapo ai të pajiset me pasaportë shqiptare, sepse do të taksohet më pak se sa në vendin e tij. Aktualisht ai ka një kontratë prej 280 mijë eurosh me FSHF-në, 60 mijë prej të cilave shkojnë për ndihmësit e tij.
Kërkesa e De Biazit për t’u pajisur me pasaportë vjen në një kohë kur do të luajmë me Armeninë, një ndeshje kyçe. Ky është një sinjal i qartë i trajnerit kundrejt skuadrës dhe opinionit futbolldashës se ndihet si një shqiptar përpara një ndeshjeje që mund të vendosë fatet e një sezoni. Nëse De Biazi do të marrë pasaportën para ndeshjes me Armeninë më 29 mars, atëherë ky do të ishte një motivim më shumë jo vetëm për skuadrën, por edhe për tifozët.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT