Dhurata Hoxha: Demarkacioni – kusht i vetëm i paplotësuar

Ministria e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka ripërsëritur se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian, përveç njërit – ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, njofton Klan Kosova.

Hoxha, që ka dorëzuar një raport tek Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, ka deklaruar se janë munduar që përmes raportin të prezantojnë punën e tyre dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Ne jemi munduar që në mënyrë sa më pozitive të reflektojmë të arriturat tona, por edhe sfidat që kemi hasur në implementim dhe me këtë raport reflektojmë se çfarë na nevojitet tjetër për të bërë”.

Hoxha ka shtuar se Kosova “duhet ta shfrytëzojë këtë kohë në maksimum për të prodhuar rezultate”.

“Ne duhet t’i përfundojmë proceset, por më pastaj duhet të koordinohemi me Bashkimin Europian që edhe ata ta mbajnë fjalën e dhënë. Por, Kosova po shënon progres të kënaqshëm në procesin e liberalizimit të vizave”.

Ministrja ka përmendur edhe njëherë se veç një kusht ka mbetur për të plotësuar gjithçka që është kërkuar nga shteti i Kosovës për vizat.

“Demarkacioni duhet të ratifikohet, ai që është nënshkruar dhe për të cilin janë marrë vesh Kosova dhe Mali i Zi. Kushtet tjera janë të mbyllura dhe nuk ka nevojë t’u rikthehemi atyre”.

“Në BE kanë qenë të kënaqur me progresin që është bërë, por ne duhet në vazhdimësi në këtë proces, nuk duhet të ndalim, përkundër se është plotësuar si kusht, në vazhdimësi duhet të tregojmë se po luftojmë korrupsionin”.