Dhomat e Specializuara konfirmojnë se ka të infektuar me virus në Hagë

Dje u raportua se dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi dhe Nasim Haradinaj, të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, janë infektuar me virusin korona.

Gazeta Paparaci ka kontaktuar me shefen për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara në Hagë, Angela Griep, e cila ka konfirmuar se ka të infektuar me virusin korona, në mesin e të paraburgosurve. Mirëpo, nuk ka treguar për një numër të saktë të të infektuarve.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë mbi statusin Covid të individëve në ambientet e paraburgimit. Megjithatë, mund të konfirmojmë se ka disa rezultate pozitive nga testimet e bëra”, tha ajo.
Tutje ajo ka shtuar se tashmë janë angazhuar në ofrimin e shërbimeve të plota mjekësore kundrejt personave të infektuar.

“Shërbimet mjekësore janë plotësisht të angazhuara dhe çdo person që ka rezultuar pozitiv merr shërbime të plota mjekësore duke përfshirë një oficer mjekësor që i viziton të paktën dy herë në ditë”, shtoi ajo.

Kujtojmë se në pritje të gjykimit në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.