Në internet mund të gjenden disa video-lojëra në të cilat simulohen konfliktet ushtarake, që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e aty, si pjesë e misioneve, gjithashtu mund të “luhen’ edhe krimet e luftës.

Aktualisht, platforma më e famshme në Serbi është “Arma Srbija”, ku përdoruesit mblidhen për të luajtur njëkohësisht në kohë reale në internet, shkruan REL.

Njëri nga misionet e “Arma Srbija” është edhe “Operacioni Jashari”, i cili simulon veprimin e policisë serbe në mars të vitit 1998, kur u vra njëri nga komandantët e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), Adem Jashari, së bashku me më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij.

Këto lojëra, që pastaj postohen edhe në Youtube, mund të dëgjohen zëra duke thënë që detyra e tyre është që të likuidojnë Adem Jasharin.

“Detyra jonë është që të likuidojmë Adem Jasharin”, thuhet në përshkrimin e videos, e cila është publikuarnë mars të vitit të kaluar dhe deri më tani, ka afro 85,000 shikime.

Në shkurt të vitit 2019, në këtë platformë u publikua edhe misioni tjetër, “Operacioni Reçak”.

Në jetën reale, 45 civilë shqiptarë u vranë në operacionin e policisë serbe në janar të vitit 1999 në Reçak, ngjarje kjo që ishte një nga arsyet më të forta për bashkësinë ndërkombëtare për të filluar ndërhyrjen e NATO-s në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë më 24 mars 1999. /Express/