Kosova aktualisht nuk mund të pranohet në NATO, për shkak se katër shtete anëtare të Aleancës nuk e njohin ende pavarësinë e shtetit kosovar.
Agjencia e lajmeve “Beta”, raporton se një zyrtar i NATO-s ka thënë se kjo është e pamundur në rrethanat aktuale, përcjell Demokracia.com.
“Nëse një prej shteteve anëtare të NATO-s e propozon Kosovën si shtet të ri anëtar, kjo është e pamundur të bëhet nën rregullat aktuale të kësaj organizate, pasi që katër shtete nuk e njohin ende Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë ai.
Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Rumania, janë katër shtetet e kësaj aleance që ende s’e njohin Kosovën.
Zyrtari tha se kriteret për anëtarësim në NATO janë përcaktuar me nenin 10 të Marrëveshjes së Uashingtonit dhe vendimi për pranimin e një anëtari të ri duhet të jetë unanim.
Në fillim të kësaj jave, Turqia tha se do të mbështeste anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe do të punonte me këto vende për të njohur pavarësinë e Prishtinës të shpallur në 2008./Demokracia.com/