Deputeti i VV-së: 100 eurot iu takojnë vetëm atyre që kanë pagë nën 1000 euro

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka thënë se masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike janë mirëpritur nga qytetarët.

Ai, në “Info Magazine” të Klan Kosovës ka treguar edhe se nga i ka marrë Qeveria e Kosovës këto 100 milionë euro.

“Është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët. E dimë se nevojat janë shumë më të mëdha sesa këto, por duhet të veprojmë në bazë të kapaciteteve shtetërore që i kemi që t’iu dalim në ndihmë dhe të jemi pranë qytetarëve dhe kategorive të cilat rrallë herë, ose asnjëherë, nuk kanë qenë përfituese deri tash”.

“Gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2022 kanë qenë edhe linjat siç janë kontigjencat ku është një shumë e konsiderueshme e mjeteve ku ekziston pastaj mundësia e kalimit të mjeteve në pako të tilla siç është kjo e sotme. Në buxhet janë linja të veçanta të cilat parashihen për raste të tilla siç janë kontigjencat qoftë për investime kapitale, qoftë edhe për mallra e shërbime, apo paga e mëditje. Të gjitha këto parashihen, sepse secilën herë mund të ndryshojnë nevojat dhe lihet një mundësi e operimit te disa kategori ose nënkategori”.

Rrahmani pretendon që rritja ekonomike e vitit të kaluar ka mundësuar që qytetarëve t’iu ndahen këto para këtë vit.

Por, si i përgjigjet deputeti i Vetëvendosjes kolegut të tij nga PDK-ja, Hajdar Beqa, po ashtu i ftuar në “Info Magazine”, që këto masa i quajti vitra dhe mungesë të vizionit?

“Është një shumë që e dimë që nuk i zgjedh problemet e krejt qytetarëve, por fatkeqësisht jemi në një situatë ku Kosovën e kanë lënë me një buxhet çfarë e ka. Brenda një viti nuk mund ta dyfishosh buxhetin e Kosovës, prandaj duhet të operojmë me kapacitetet dhe mjetet të cilat janë. Ne e dimë që nuk është ndonjë vlerë e madhe, mirëpo kjo është një asistencë për një periudhë duke e parë situatën dhe inflacionin”.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se në bazë të informacioneve që ka 100 eurot shtesë nuk do t’i takojnë atyre që kanë pagë më të lartë se 1000 euro.

“Në bazë të informacioneve që kam jo. Vetëm atyre që kanë pagë nën 1000 euro iu takojnë këto mjete”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT