Depaj, me avion privat në Angli

Me një avion privat që ka zbarkuar në Londër ka nisur edhe aventura jozyrtare e Memfis Depajt si lojtar i “djajve të kuq”. Në fakt, sulmuesi holandez, i cili u bë blerja e parë e Luis Van Galit në merkaton e verës, ishte në kryeqytetin e Anglisë për një event promocional dhe nuk e ka hedhur ende firmën në kontratën me 20 herë kampionët e Anglisë.
Por kjo nuk e privoi 21-vjeçarin, që u kushtoi anglezëve 25 milionë paund, që të fitonte menjëherë zemrat e tifozëve me një deklaratë guximtare: “Unë besoj se mund të bëhem lojtari më i mirë në botë një ditë. Jam shumë i lumtur që do të luaj në Premier Ligë, kampionatin që e kam ëndërruar gjithnjë.
Realizova një ëndërr, por ky është vetëm fillimi. Kam dëgjuar që njerëzit më krahasojnë me Kristiano Ronaldon. Është diçka e bukur, por unë jam ende 21 vjeç dhe shpresoj që një ditë të arrij në nivelin e tij”, deklaroi golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Holandë.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT