Demokracia në Veprim: Ja parregullsitë në vendvotime

Demokracia në Veprim, ka njoftuar se dalja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit deri në ora 10:00 është 2,360 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 4.49%, transmeton Klan Kosova.

DnV: Administrimi i zgjedhjeve dhe qasja e votuesve me aftësi të kufizuara në vendvotime:

Gjithsej në 72 vendvotime janë 346 komisionerë, prej tyre 279 burra (80.64%) dhe 67 gra (19.36% gra).
Në qendrën e votimit 0321E, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, votimi po zhvillohet vetëm në katin e dytë duke pamundësuar votimin për persona me aftësi të kufizuar.
Po ashtu në qendrën e votimit në Krajkovë si dhe në Arllat, nuk ka kushte për votim për persona me aftësi të kufizuar.
Në vendvotimin 0317E/04D në Llapushnik në shkollën “Hasan Prishtina”, mungon zarfi për fletëvotime të pavlefshme.
Në vendvotimin 0306E/02R në Tërstenik, raportohet për jokompetencë të kryesuesit të vendvotimit në kryerjen e detyrës.

Sipas Demokracisë në Veprim në 9 nga 28 qendra të votimit është vërejtur prani e  policisë brenda qendrës së votimit. Nuk raportohet për incidente, megjithatë prezenca e policisë në vendvotime është e ndaluar nëse nuk ftohen nga menaxheri i qendrës së votimit.

Në Tërstenik, dy persona të paautorizuar janë parë në qendrën e votimit të cilët po i orientojnë votuesit. Ndërsa në afërsi të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Stankoc, është raportuar për persona të cilët janë parë duke orientuar votuesit.

Në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë, vëzhguesit e PDK-së, po asistojnë komisionarët me listën e votuesve.  Vëzhguesit në këtë qendër nuk kanë pamje të qartë të procesit të votimit.

Në vendvotimin 0321E/01R, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, një person ka asistuar dy familjarë për të votuar, ndërsa është ndaluar të asistoj familjarin e tretë. Vlen të theksohet se familjari i tretë edhe pse është nënshkruar në listë të votuesve në shenjë pakënaqësie nuk ka votuar.
DnV do të vazhdojë të raportojë për të rejat tjera në kohë reale.