Delegacioni kosovar në Tiranë, homazhe para shtatores së Adem Jasharit

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë, pas takimit me kryeministrin Rama, është takuar edhe me liderët kryesorë institucionalë dhe politikë të Shqipërisë.

    Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi e Kujtim Shala, u prit në takime të ndara nga presidenti Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

    Gjatë këtyre takimeve, Mustafa ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për mbështetjen dhe kontributin e madh që institucionet dhe populli shqiptar po japin për Kosovën, në vazhdimësi.
    Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat me Shqipërinë, duke veçuar bashkëpunimin në ekonomi, në arsim, kulturë, e fusha të tjera të jetës.

    Përfaqësuesit e jetës politike në Shqipëri shprehën përkrahjen e mëtejshme të institucioneve shqiptare për Kosovën, duke theksuar angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

    Kryeministri Mustafa dhe delegacioni shtetëror i Kosovës gjatë ditës kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë lulesh para shtatores së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Tiranë.