Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut moment i rëndësishëm historik

 

 

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i mbajtur në Seancën solemne kushtuar 25 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990

 

 

Të nderuar të pranishëm,

 

Më lejoni që në fillim, në emrin tuaj, t’i shpreh mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, mikut të shquar të vendit tonë, të pavarësisë dhe lirisë sonë, kongresmenit Eliot Engel. 

Welcome mr. Engel.

 

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur sot, në këtë seancë solemne, në nderim dhe respekt të 2 korrikut të vitit 1990.

Në këtë ditë, 25 vite më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën deklaratën kushtetuese.

Sot, kemi nderin t’i kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të Lirë dhe të Pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.

  

Të nderuar të pranishëm,

Zonja e zotërinj,

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

–         Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968,

–         ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe,

–         kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981,

–          për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të vitit ‘88, ‘89, ‘90.

Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb.

Në epiqendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974.

–         Serbia kërkonte më pak se 74-shi.

–         Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë.

Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike.

Duhej dhënë fund diskriminimi kombëtar që shqiptarëve u bëhej  në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav. 

Barazi ose shkëputje – Ky ishte vullneti politik i asaj kohe.

Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës.

Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974.

1 vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullneti politik i kohës i qytetarëve,

–         Përmes deklaratës kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit ’89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.

Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish Jugosllavisë. 

Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur.

–         Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare.

Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje.

Përkundër kësaj Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut  ishte avancim i kësaj baze legale.

Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë. 

Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve 90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.

–         Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kur ne rrokëm armët, tanimë bota e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë.

Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike.

 

Të nderuar të pranishëm,

–         Me 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore.

Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje,

–         e bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike.

Prandaj për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare.

Ne besojmë në këtë vlerë.

Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për t’i zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtet ndërtimit dhe integrimit.

Ne do të kemi sukses!

Ju faleminderit.

 

 

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT