Në bjeshkët e bukura të Prevalles, sot është përuruar një urë e cila është e veçantë, jo vetëm për funksionin që kryen.

Atë e ndërtuan me mjetet e tyre Sabri e Rukije Bunjaku nga Gjilani, si dedikim për për banorët e zonës, në shenjë kujtimi për nipin e tyre Rinorin, i cili vdiq në moshë të re, para një viti.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka kumtuar lajmin.Postimi i Ismajlit:

Të dashur qytetarë,

Sot, ishim në malet e bukura të Prevalles, për të përuruar urën për kalimin e disa banorëve të asaj ane, e cila është financuar nga gjyshërit, Sabri dhe Rukije Bunjaku. E gjithë ky financim e nderim, është bërë në shenjë respekti e kujtimi për nipin e tyre, Rinorin e vogël, i cili para disa ditësh mbushi 1 vit nga vdekja e tij.

Kjo urë tashmë do të jetë simbol rikujtimi për Rinor Bunjakun, nga të gjithë banorët e asaj ane, por, edhe vizitorët e shumtë të cilët i vizitojnë këto treva. Rinor Bunjaku, do të jetë përherë në zemrat dhe mendjet tona, dhe, kujtimi për të u shënjëstrua edhe në këtë urë, të cilën sa herë që do ta vizitojmë, do të ndjehemi me kujtimet më të mira për të.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Rinor Bunjakun!